Arbëri

Në disa institucione serbët e veriut nuk i lëshuan vendet e punës

Jo të gjitha institucionet janë boshatisur nga serbët e veriut.

Punonjësit e Brigadës së Zjarrfikësve në Mitrovicë të veriut nuk e ndoqën shembullin e policëve, të administratës e edhe të spektrit politik që braktisën institucionet 12 ditë më parë, në shenjë mospajtimi me përcaktimin e Qeverisë për ta zbatuar vendimin që kërkon konvertimin e targave ilegale në ato RKS.

Punëtorët në Stacionin e Zjarrfikësve në Mitrovicën e Veriut nuk kanë pranuar të flasin me ekipin e KOHËS, mirëpo kanë thënë se ata janë duke punuar. Por, udhëheqësit e institucionit kanë thënë se janë në takim me Adrijana Hoxhiqin.

Nënkryetarja e Mitrovicës së Veriut, Adrijana Hoxhiq, nuk ka qenë gjatë ditës së premte në punë, thanë zyrtarët komunalë të etnisë shqiptare. Ajo ka qenë e paqasshme gjatë ditës.

Në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave thanë se në asnjërën nga katër komunat e veriut nuk ka pasur dorëheqje të zjarrfikësve.

“Ata sikurse edhe të gjithë zjarrfikësit e tjerë në RKS punojnë në pajtueshmëri me legjislacion përkatës në fuqi. Aktualisht kam kontaktuar me komandantët e Njësive Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit - NJPZSH në Leposaviq, Zubin-Potok, Zveçan e Mitrovicë të Veriut, të cilët kanë konfirmuar praninë e tyre në vendin e punës”, tha Nehat Koqinaj, zëdhënës i Agjencisë për Menaxhim të Emergjencave.

Po si zjarrfikësit, nuk ka pasur dorëheqje as në këtë qendër për punë sociale në “Lagjen e Boshnjakëve”. Punonjësit këtu nuk pranuan të flisnin dhe kërkuan mirëkuptim shkaku i situatës së tensionuar politike në veri.

E, burime në Ministrinë e Financave, Punës e Transfereve konfirmuan se serbët nuk i lëshuan as zyrat për pensione.

Ndërkaq “Evropa e Lirë” raportoi se Administrata Tatimore ka gjithsej 16 të punësuar nga komuniteti serb në zonën e Mitrovicës së Veriut e 14 Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.