Arbëri

Optimizmi i Kurtit për targat

Albin Kurti - kryeministri i Kosoves

Kryeministri Albin Kurti është shprehur optimist për diskutimet që brenda pak ditësh pritet të bëhen në Bruksel për çështjen e targave ilegale.

Nga Estonia, në konferencën pas takimit me kryeministren Kaja Kallas, Kurti ka thënë se përkundër kësaj, qasja e Beogradit në vazhdimësi ka qenë destruktive.

“Jemi duke bërë çmos për ta mbrojtur ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit tonë nga njëra anë dhe paqen e sigurinë nga ana tjetër. Unë jam optimist por qasja e Beogradit ka qenë shumë destruktive. Në ditët e ardhshme do të shohim se sa të suksesshëm do të jemi në negociatat e reja. Ne kemi nevojë për marrëveshje përfundimtare me Serbinë, për normalizim të marrëdhënieve me njohje reciproke”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti e ka mohuar se targat kanë qenë arsye për serbët e veriut që t’i braktisin institucionet. Sipas tij, veprimin e kanë ndërmarrë me urdhër të Serbisë.

Në bazë të vendimit të Qeverisë, nga e hëna qytetarët që ngasin automjete me targa ilegale të lëshuara nga Serbia, do të gjobiten me nga 150 euro.

Vendimi për targat ka nisur së zbatuari këtë muaj dhe në fazën e parë janë shqiptuar qortime. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, deri të enjten, janë shqiptuar 1592 sosh.

Kjo ministri ka bërë të ditur se vendimit të qeverisë i janë bindur deri tash 26 qytetarë që kanë konvertuar targat e automjeteve në RKS, 11 prej të cilëve janë nga rajoni i Mitrovicës.

“Javëve të fundit kishim një interesim më të madh nga qytetarët për t’i regjistruar veturat dhe deri të enjten numri ka shkuar në 26 sosh. Gjatë kësaj jave do të vazhdojmë edhe me fushatën informuese për qytetarët tanë rreth lehtësirave financiare që do të përfitojnë nga ky proces”, tha Nora Fetoshi, zëdhënëse në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Kryeministri Albin Kurti e presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pritet të takohen të dielën ose të hënën, me qëllimin për t’i dhënë zgjidhje çështjes së targave ilegale. Serbët kanë kërcënuar me veprime të paparashikueshme, me të nisur shqiptimi i gjobave, e ndërkombëtarët kanë shprehur drojën se kjo mund ta përshkallëzojë situatën në veri.