Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti, deklaroi për 313 milionë euro, buxheti i 2023-s do të jetë më i madh se i vitit 2022.
Ai deklaroi në “60 minuta” të KTV-së të enjten se në shumë dikastere është shënuar rritje e buxhetit dhe sipas tij, rritja e buxhetit për vitin e ardhshëm është afro 10 për qind.
“Është lajm i mirë që projektbuxheti kaloi sot. Ky votim është në parim, për shkak se duhet të ndiqen edhe procedura të tjera. 3 miliardë e 200 milionë euro është buxheti për 2023-n. Në shumë dikastere kemi rritje të buxhetit, 313 milionë euro më i madh buxheti sesa ai i 2022-s apo 10 për qind. Nuk ka ndodhur në realitet kjo rritje e viteve të kaluara”, deklaroi ai.
Sipas Halitit, me këtë buxhet nuk do të ndiqet logjika e futjes së projekteve të reja, pa pasur mundësi që të përfundohen brenda afatit.
Ai deklaroi se pjesa dërrmuese projekteve të këtij buxheti është nga vitet e kaluara.
“Kemi shumë projekte në buxhetin ekzistues dhe të vit pas vitit që përsëriten, me vlera të vogla, por që kurrë nuk janë realizuar. Ka projekte të reja, por e mira e tij është se ka buxhet për përfundimin e shumë projekteve madhore, që kanë nisur nga viti 2007”, tha ai.
Deputeti i VV-së u shpreh se me këtë buxhet synohet të përfundohen një varg projektesh.
“Janë ndarë 21 milionë euro për rrugën Prishtinë-Mitrovicë dhe do të kryhet. 27 milionë euro për autostradën e Gjlanit, 11 milionë euro për rrugën Dollc-Gjakovë, 4 milionë për rrugën Kiev-Zahaq dhe 6 milionë për rrugën Prishtinë-Podujevë. Për rrugën Prishtinë-Podujevë është përfunduar i gjithë procesi i shpronësimit dhe kontestet gjyqësore. Këto para janë të mjaftueshme për t’u kryer rrugët”, tha ai.
Haliti shtoi se për projektet e reja janë ndarë 11 milionë euro.
“Buxheti i vitit 2024 synojmë të nisë me projekte të reja”, tha ai.
Sipas deputetit të Vetëvendosjes, kritikat e partive opozitare për punën e Qeverisë vijnë pasi ato “e kanë humbur debatin.
“Opozita e ka humbur debatin, s’po di të bëjë opozitë në Kuvend dhe s’po ka me çfarë të arsyetohet dhe të merret. E vetmja mënyrë e tyre për të bllokuar Qeverinë është dërgimi i ligjeve në Kushtetuese. Kanë dërguar edhe ligjin për çmimet tavan. Nuk marrin pjesë me ide konkrete dhe as në votim”.
Për krizën energjetike, deputeti tha se janë ndarë 75 milionë euro për mbulumin e kostos së energjisë.