Drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Aktiv”, Miodrag Milliqeviq, ka mbajtur konferencë lidhur me pretendimet se ishte keqtrajtuar nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës në pikën kufitare në Jarinjë.
Ai ka thënë se ka qenë rrugës për në Sarajevë, në afërsi të Leshakut, kur ka qëlluar në kolonën e policisë dhe një tjetër veturë, që sipas tij ishte e blinduar.
“Jam munduar ta tejkaloj veturën e fundit që ishte e njësisë së policisë speciale dhe më kanë bërë me dije që të mos i tejkaloj dhe jam kthyer në trakën e djathtë. Tre policë me maska me kapela në kokë dhe më kanë bërë me shenjë që të parkohem. Njëri më është afruar dhe më ka folur në gjuhën shqipe. I thash se nuk e kuptoj mjaft gjuhën shqipe”, ka thënë ai.
Milliqeviq ka pretenduar se një prej policëve e ka drejtuar një thikë në drejtim të tij.
“Përveç ënjtjes së thjeshtë nuk kam pasur ndonjë lëndim. Demantet publike se kjo ngjarje nuk ka ndodhur dhe se inspektorati policor do të merret me raste janë në kontradiktë”.