Arbëri

Zyrtarët e KKZ-ve paralajmërojnë se pa marrëveshje politike s’mund të ketë zgjedhje në veri

Zgjedhjet në komunat veriore nuk do të mbahen pa u arritur një marrëveshje politike midis Qeverisë së Kosovës dhe qytetarëve të asaj pjese, ka deklaruar Sllobodan Dimitrijeviq, zyrtar i lartë i Komisionit Komunal Zgjedhor për Mitrovicën e Veriut.

Këtë Dimitrijeviqi e tha pas njoftimit se në mëngjesin e së mërkurës dorëheqjet i kanë zyrtarizuar kryetarët e komisioneve komunale zgjedhore në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Një situatë e këtillë, ai tha se e pamundëson realizimin e procesit zgjedhor për kryetarë të këto katër komuna të veriut.

“Në një veprim të tillë, kemi vendosur me njoftimin e Qeverisë së Kosovës se zgjedhjet e jashtëzakonshme do të shpallen në komunat tona, pa marrëveshje politike dhe vullnetin e qytetarëve në komunën Leposaviq, Zveçan, Mitrovicën e Veriut dhe Zubin Potok. Në këtë situatë kërkohet të bëjmë zgjedhje, një proces që është i pamundur të realizohet. Ne besojmë se realizimi i një procesi të tillë zgjedhor pa arritur marrëveshje politike dhe pëlqimin e qytetarëve tanë është një mision i pamundur”.

Me dorëheqjet e zyrtarëve të komisioneve komunale zgjedhore në komunat veriore të banuara kryesisht me serbë, është duke u marrë Komisioni Qendror Zgjedhor.

“Gjatë së mërkurës paradite, Komisioni Qendror i Zgejdhjeve ka pranuar njoftimin nga zyrtarët komunalë të zgjedhjeve të katër komunave, Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq dhe Mitrovicë e Veriut për dorëheqjen e tyre nga pozitat që i kanë ushtruar deri më tani si zyrtarë të lartë komunalë të zgjedhjeve dhe natyrisht se edhe kjo çështje do të trajtohet nga ana e KQZ-së në mbledhjen e radhës”, tha Valmir Elezi, zëdhënës në KQZ.

Por, ish-kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, deklaratat e ish-zyrtarëve serbë i ka kualifikuar më shumë si politike teksa ka vlerësuar se ekzistojnë mundësi për mbajtje të zgjedhjeve atje.

“Ata janë shërbyes civilë. Tash nuk e di ndoshta KQZ-ja mund t’i zëvendësojë përkohësisht dhe t’i dërgojë atje. Por, është më tepër çështje politike”.

Largimi i zyrtarëve serbë të Komisioneve Komunale Zgjedhore ka pasuar thirrjet nga përfaqësues të Listës Serbe, të cilët të shtunën morrën vendim për t’i braktisur institucionet e Kosovës, pas vendimit të Qeverisë për konvertimin e targave ilegale të lëshuara nga Serbi në ato RKS.