Dorëheqjet e deputetëve të Listës Serbe mund të krijojnë një situatë që Legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës ta kryejë mandatin me vetëm tetë deputetë serbë nga dhjetë sosh sa parashihet t’i ketë me Kushtetutë.
Aktualisht në listën e pritjes për deputetë, Lista Serbe i ka 9 kandidatë, emrat e të cilëve Komisioni Qendror i Zgjedhjeve brenda shtatë ditëve pritet t’i dërgojë në Presidencë, e nga aty më pas të shkojnë në Kuvend për zëvendësim.
Por, në këtë situatë, kur Lista Serbe është deklaruar se nuk pranon përfaqësimin në Kuvendin e Kosovës, radha do t’u lëshohet kandidatëve për deputetë nga partitë e tjera të komunitetit serb.
“Kuvendi i fton deputetët që të japin betimin dhe nëse ata tri herë radhazi nuk marrin pjesë në seancën e dhënies së betimit, atëherë konsiderohet që nuk e kanë pranuar mandatin dhe atëherë vazhdohet me kandidatët e tjerë nga Lista Serbe, nëse ka. Në qoftë se nuk ka, vazhdohet me kandidatët e listave të partive të tjera, të cilët kanë garuar për vendet e rezervuara nga etniteti joshumicë serb”, tha ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.
Mirëpo, nga partitë e tjera serbe janë vetëm 8 kandidatë për deputetë: 5 nga Aleanca Demokratike Serbe dhe 3 nga Iniciativa Qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Kësisoj, dy vende të rezervuara për komunitetin serb në Kuvend do të mbesin të paplotësuara.
Kjo për njohësit e çështjeve kushtetuese nuk do të krijojë vështirësi në aspektin e zbatimit kushtetues apo në funksionim të Kuvendit.
“Nuk ka asnjë problem edhe me dy mangut ose tre që të funksionojë Kuvendi përveç në rastet kur kërkohet edhe shumica e shumicës dhe shumica e pakicës për ndryshimet Kushtetuese dhe për ligjet me interes vital të Kosovës. Vetëm në këtë situatë nuk mund të realizohet funksioni Kushtetues dhe ligjor i Kuvendit”, tha Mazllum Baraliu njohës i çështjeve kushtetuese.
Sipas Baraliut, nëse në Kuvend në vend të përfaqësuesve të Listës Serbe vijnë deputetë të tjerë të komunitetit serb, situata politike do të ndryshonte dhe se do të zbeheshin mundësitë për instrumentalizim të tyre nga Beogradi.
“Është shumë e mundur që këta deputetë që mund të zëvendësohen, eventualisht nëse nuk pranojnë këta të Listës Serbe që janë rezervë, zëvendësohen nga partitë tjera politike, të luajnë rolin e tyre konstruktiv dhe të mbrojnë edhe interesat në radhë të parë të komunitetit të tyre”.
Një prej kandidatëve për deputetë, jashtë LS-së, është edhe Rada Trajkoviq. Ajo ka thënë se do ta shqyrtojë mundësinë e marrjes së postit të deputetes.