Arbëri

PDK-ja e LDK-ja ironizojnë me lirimin nga akuza të Kusari-Liles në rastin “Hidrocentralet”

Në Komisionin hetimor për energji të mërkurën është komentuar edhe vendimi i organeve të drejtësisë që e kanë liruar nga akuza shefen e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, dhe të tjerët lidhur me rastin “Hidrocentralet”.

Gjatë intervistimit të ish-drejtorit menaxhues të KEK-ut, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj dhe deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, me ironi theksuan se i gëzon fakti që gjykatat janë çkapur nga pushteti.

“Kemi një vendim të gjykatës që liron nga akuza shefen e GP të Vetëvendosjes dhe të tjerët. Kështu që më gëzon fakti që gjykatat janë çkapur nga pushteti”, kanë thënë deputetët opozitarë, raporton KosovaPress. 

Gjykata Themelore e Prishtinës dje i liroi nga akuza katër ministra të ish-Qeverisë Thaçi 2, Mimoza Kusari Lilën, Nenad Rashiqin, Besim Beqajn, Dardan Gashin si dhe Fllanza Hoxhën e Arben Gjukën, të cilët akuzoheshin nga Prokuroria Speciale për korrupsion në rastin e njohur si “Afera e hidrocentraleve”.

Kusari-Lila në një intervistë në “Interaktiv” mbrëmë theksoi se ky rast ka qenë një barrë shtatëvjeçare për të dhe se tani ndihet e liruar.