1 perditesime
13:26

KQZ-ja ka pranuar dorëheqjet e katër zyrtarëve të komisioneve zgjedhore në veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar dorëheqjet e katër zyrtarëve komunalë të zgjedhjeve në komunat veriore.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se KQZ-ja do ta trajtojë këtë çështje.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar njoftimin për dorëheqje të katër zyrtarëve komunalë të zgjedhjeve në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. KQZ-ja do ta trajtojë këtë çështje dhe do t’iu mbajmë të informuar”, ka thënë Elezi.

09:45

Japin dorëheqje edhe zyrtarët e komisioneve zgjedhore në veri

Serbët në veri të Kosovës po vazhdojnë të dorëhiqen nga vendet e tyre të punës, pas vendimit të javës së kaluar nga përfaqësuesit politikë serbë për t’u larguar nga institucionet e Kosovës.

Pas përfaqësuesve politikë, policët, gjyqtarët dhe prokurorët, të mërkurën dorëheqjen kanë dorëzuar edhe zyrtarë të lartë të komisioneve komunale zgjedhore.

Në vazhdën e njoftimit nga institucionet e Kosovës se zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë komunash do të mbahen në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, kryetarët e komisioneve zgjedhore komunale kanë dhënë dorëheqje mëngjesin e sotëm nga pozitat e tyre. Këtë e ka konfirmuar Sllobodan Dimitrijeviq, zyrtar i lartë i KKZ-së për Mitrovicën e Veriut.

“Në një veprim të tillë kemi vendosur me njoftimin e Qeverisë së Kosovës se zgjedhjet e jashtëzakonshme do të shpallen në komunat tona pa marrëveshje politike dhe vullnetin e qytetarëve në komunën Leposaviq, Zveçan, Mitrovicën e Veriut dhe Zubin Potok. Në një situatë kur na kërkohet të bëjmë zgjedhje një proces që është i pamundur të realizohet. Ne besojmë se realizimi i një procesi të tillë zgjedhor pa arritur marrëveshje politike dhe pëlqimin e qytetarëve tanë është një mision i pamundur”, ka thënë ai për KosovoOnline.

Serbët në veri vendosen të largoheshin nga institucionet e Kosovës pasi pretendojnë se Prishtina ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit dhe nuk po i respekton të drejtat e tyre.