Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka diskutuar lidhur me situatën aktuale të sigurisë me ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar.
Ai i ka shprehur mirënjohje ambasadorit turk për ndihmën dhe mbështetjen e ofruar në ndërtimin, zhvillimin dhe avancimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale ushtarake të FSK-së.
“Me këtë rast, me Ambasadorin Sakar biseduam lidhur me situatën aktuale të sigurisë në vend, rajon dhe më gjerë, krahas njoftimit me proceset zhvillimore aktuale në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK, të arriturat e deritashme si dhe synimet për të ardhmen”, njoftoi Mehaj në Facebook.
Ndërsa, Sakar premtoi se Turqia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në të gjitha fushat dhe komponentët në mënyrë që t’i përmbushë me sukses të plotë synimet.
“Në fund, u dakorduam që bashkëpunimi në nivel të ministrive të mbrojtjes dhe forcave të dy vendeve të fuqizohet edhe më tej në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal e më gjerë”, tha Mehaj.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.