Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar kërkesën nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për zëvendësimin e deputetëve të Listës Serbe, të cilët kanë dhënë dorëheqje nga posti.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i ka thënë KOHËS se ky komision do të përgatisë rekomandimin brenda afatit ligjor prej pesë ditëve nga momenti I marrjes së kërkesës.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar kërkesën nga Presidentja e Republikës së Kosovës për të rekomanduar emrat e personave të ligjshëm të radhës për të plotësuar vendet e lira në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Duke u mbështetur në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përgatisë rekomandimin brenda afatit ligjor prej 5 ditësh pune nga momenti i marrjes së kërkesës”, ka thënë ai.
Kjo kërkesë e presidentes është bërë pasi zyra e saj a pranuar kërkesën e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca për zëvendësimin e këtyre deputetëve.
Deputetët që kanë dhënë dorëheqje duhet të zëvendësohen me deputetë të rinj nga i njëjti subjekt politik.
Gjatë javës së kaluar Lista Serbe ka njoftuar se zyrtarët serbë do të largohen nga institucionet qendrore dhe ato lokale të Republikës së Kosovës.
Vendimi për bojkotim të institucioneve të Kosovës ndodhi pas suspendimit të drejtorit rajonal të Policisë në veri të Mitrovicës, Nenad Gjuriq, i cili nuk respektoi planin trefazësh të qeverisë për konvertimin e veturave me targa serbe në ato të Republikës së Kosovës.