1 perditesime
22:33

Vuçiq shpreson që KFOR-i dhe EULEX-i do të kryejnë punën e policisë në veri të Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se shpreson që Shtetet e Bashkuara do të vendosin që misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR dhe misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX, do të kryejnë punën e policisë në veri të Kosovës, pas vendimit të serbëve për t’u larguar nga të gjitha institucionet e këtij vendi.

“Mendoj se diçka e tillë do të kontribuojë në paqe. Nëse amerikanët mendojnë që këtë punë mund ta bëjnë shqiptarët, e diçka e tillë nuk është në përputhje me marrëveshjen e Brukselit dhe vullnetin e popullit, frikësohem se kjo situatë mund të çojë në katastrofë”.

Presidenti i Serbisë ka thënë gjithashtu se shpreson që NATO-ja do të parandalojë ndonjë vendim të mundshëm të Kosovës për dërgimin e njësive speciale në veri.

“Shpresoj se NATO-ja do të ketë mençuri të mjaftueshme për të parandaluar këtë gjë”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka thënë të dielën se është e rëndësishme që Serbia të sillet “me seriozitet dhe me përgjegjësi”.

Vuçiq shtoi se autoritetet e Kosovës kanë aplikuar “opsionin më të keq të mundshëm” kur është fjala për targat.

“Fillimisht na qorton dhe më pas na poshtëron. Më pas thotë se do t’ju ndëshkojmë financiarisht. Më pas që do të konfiskojë targat e makinave dhe makinat”.

Presidenti i Serbisë ka thënë se serbët nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës derisa të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik./Rel/

21:36

Vuçiqi mohon se kërkoi tërheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka quajtur “lëvizje tektonike” tërheqjen e zyrtarëve serbë të veriut të Kosovës nga institucionet e Kosovës.

Ai në një adresim të dielën mbrëma, që e quajti “për popullin”, ka mohuar se Beogradi zyrtar ka shtyrë serbët në veri të Kosovës të tërhiqen nga institucionet e Kosovës. Sipas tij, këtë e thonë vetëm ata që nuk duan t’ia dinë për atë që siç tha ai, po kalojnë serbët këto ditë.

"Është e rëndësishme që ne të veprojmë me përgjegjësi dhe seriozitet. Tani nuk e di se çfarë të shpjegojë dhe në çfarë mënyre t'u tregojë njerëzve se çka ndodhi. Po flasim për ndryshime të mëdha politike, pothuajse tektonike. Pas 10 vjetësh, serbët morën vendim që të largohen nga institucionet e Prishtinës", u shpreh ai për "Hit Tweet".

Vuçiq pohoi se në të kaluarën ishin të paktën 20 raste kur serbët deshën t’i braktisnin institucionet e Kosovës, por siç tha ai, lutjet e tij për të mos e bërë këtë, u dëgjuan.

Vuçiqi përmendi edhe gjakderdhjen, që sipas tij, ishte afër të ndodhte në fund të qershorit kur Qeveria mori vendim për targat.

Lexo edhe: