1 perditesime
14:54

Mbrojtja e Thaçit kërkon të dijë numrin e dëshmitarëve që kanë ndërruar vendbanimet

Në konferencën për ecurinë e çështjes së ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Vesli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, mbrojtja i ka kërkuar gjykatësit të procedurës paraprake, Nicokals Guillou, t’i jap urdhër Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), që mbrojtjes t’ia dorëzojë informacionet lidhur me ndërrimin e vendbanimit të dëshmitarëve.

Avokati i ish presidentit, Hashim Thaçi, Gregory Kehoe, ka theksuar se e dinë që ZPS-ja i ka zhvendosur dëshmitarët. “Nuk kemi marr asnjë informacion sa u përket kërkesave për zhvendosje të dëshmitarëve, të ndërrimit të vendbanimit, e dimë që është duke u bërë dhe Gjykata duhet t’i jap urdhër ZPS-së që të na e dorëzojë këtë informacion. Ky informacion duhet të na jepet, ka theksuar Kehoe.

Në hapje të konferencës së 15-të mbi ecurinë e çështjes ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, gjykatësi Guillou , ka thënë se synon t’ia ja kaloj çështjen trupit gjykues para fundit të vitit.

“Para se t’ju jap fjalën palëve që të paraqesin pikëpamjet e tyre për secilën pikë të rendit të ditës, konfirmoj se synoj t’ia kaloj çështjen trupit gjykues përpara fundit të vitit. Synoj të marrë vendim mbi kërkesat që më janë paraqitur deri tani për shqyrtim, por jo për kërkesa jo urgjente të cilat palët do t’i dorëzojnë nga dita e sotme deri në kalimin e çështjes së trupit gjykues, për të mos vonuar procedurat”, është shprehur ai.

Konferenca po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dhe të akuzuarit po marrim pjesë përmes video-lidhjes nga qendra e paraburgimit.

Ish- krerët e UÇK-së akuzohen për krime lufte. Aktakuzës së konfirmuar më 26 tetor të vitit 2020 ndaj katër prej ish-drejtuesve të UÇK-së, në muajin prill të këtij viti i janë shtuar edhe disa pretendime për vrasje e tortura. Ndër të tjera, aty përmendet se të dëmtuarit ishin qytetarë të dyshuar për bashkëpunim me serbët ose përkrahës të LDK-së.

 

08:50

Sot mbahet konferenca për ecurinë e çështjes së Thaçit dhe të tjerëve

Sot, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, mbahet konferencë për ecurinë e çështjes së ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Vesli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Sipas njoftimit konferenca nis në orën 13:30.

“Prokurori K. Thaçit dhe të tjerëve – konferencë për ecurinë e çështjes 13:30”, thuhet në kalendarin e Gjykatës.