Arbëri

Abazi: Nuk jemi në pikën ku do të kishte pajtim të palëve

Haki Abazi, kryetar i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, ka thënë se ai nuk e di qëndrimin e kryeministrit për propozimin franko-gjerman, përveç deklaratave publike që Albin Kurti i ka bërë për të.

Në “Desku” të KTV-së, Abazi ka theksuar se nuk jemi në pikën ku do të kishte pajtim mes palës kosovare, serbe dhe asaj ndërmjetësuese, që është Bashkimi Evropian.

Ka deklaruar se nuk mund të ketë zgjidhje pa pasur garancinë për njohje të ndërsjellë.

“Nuk po bëjmë garë ndërmjet opsione. Shtytja është që të bëhet një proces i ndarë në dy faza, por nuk jemi as në pikën ku përfundimisht do të kishte pajtim mes të tria palëve, tonës, serbe dhe BE-së. Pjesëmarrja e këshilltarit të Scholzit dhe Macronit është dinamikë e re në dialogun që nuk ka prodhuar efekte për një dekadë. Brenda këtij procesi dinamik ka hapësirë të shtytjes nga palë të ndryshme, qofshin palë interesi që e shohin mundësinë që tash është fazë e re dhe mund të shtyjnë për kompozicionin përfundimtar të marrëveshjes, qoftë për sekuencimin kohor të ekzekutimit të kësaj marrëveshje. Nuk besoj që mund të kemi zgjidhje të ndërmjetme pa garancion përfundimtar për njohjen e ndërsjellë”, ka thënë Abazi.

Abazi ka thënë se nuk ka urgjencë në Procesin e Berlinit.