Agjencia e Regjistrimit Civil nuk është duke i pajisur në kohë qytetarët me dokumente identifikimi. Atyre që dokumentet u duhen me urgjencë duhet të paguajnë për t’i siguruar në procedurë të përshpejtuar. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme thonë se shkaku i krizës globale kanë vështirësi në furnizimin me materiale
Pas një muaji e gjysmë pritjesh Nuramet Kalisi nga Komuna e Hanit të Elezit është pajisur të premten me pasaportë. Ai tregon se ky dokument i duhet për shërim jashtë vendit.
“E kam një udhëtim të martën për Turqi, për një kontroll, urgjent më është dashur të vija për ta marrë në Prishtinë”, thotë Kalisi. “Qe një muaj e gjysmë duke pritur. Nuk u bë. Është dashur të aplikoj me procedurë të shpejtë për ta marrë”.
Fatin e tij nuk e patën dhjetëra qytetarë të tjerë që vizituan në mëngjes Agjencinë e Regjistrimit Civil për t’u pajisur me dokumente identifikimi e patentë shofer.
Pas informacionit që morën brenda në sportel, u kthyen mbrapa të zhgënjyer.
Disa nga ta tregojnë se u është thënë të presin me muaj për t’i marrë dokumentet si pasojë e mungesës së materialit prodhues.
“Qe tri javë i kam vendosur, por nuk kam mundur për t’i marrë. Thanë që nuk ka masë, nuk e dinë kur dalin”, ka thënë Berisha.
E qytetarë të tjerë që nuk kanë pranuar të flasin para kamerës kanë treguar se u është thënë se tash për tash pasaportat lëshohen vetëm përmes procedurave të shpejta, e për të cilat duhet paguar 80 euro.
Të enjten në një konferencë për shtyp për këtë problem u pyet edhe zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, por ai nuk ka pranuar t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve.
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë thënë se vështirësitë e furnizimit me materiale i ka shkaktuar krizat globale.
“Qytetarët po vazhdojnë të pajisen me letërnjoftime sipas procedurave. Si shumë shtete të tjera, edhe ne po përballemi me vështirësi të furnizimit për të tjera materiale, vështirësi këto që i ka shkaktuar kriza globale, si dhe pandemia me COVID-19”, thuhet në një përgjigje të shkruar të Ministrisë. “Megjithëkëtë, Ministria e Punëve të Brendshme është e përkushtuar që sa më shpejt dhe brenda mundësive të bëjë pajisjen e të gjithë qytetarëve me dokumente. Kurse rastet të cilat kanë nevojë urgjente po trajtohen me prioritet. MPB furnizohet me dokumente blanko nga një kompani e kontraktuar gjermane”.
Në këtë institucion nuk kanë dhënë informacione për numrin e qytetarëve që kanë kërkuar të pajisen me dokumente përmes procedurave të shpejta.