Arbëri

Bërnabiqi kërkon themelimin e Asociacionit, sërish fton Kosovën në “Ballkanin e Hapur”

Kryeministrja e re e Serbisë, Ana Bërnabiq, në fjalimin e saj në Kuvend, ku edhe është prezantuar kabineti i ri qeveritar, ka thënë se Serbia dëshiron të futet në Bashkim Evropian, porse kërkon të respektohet plotësisht integriteti territorial i saj.

Bërnabiq gjatë fjalimit ka kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe Kosova të themelohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, ndërsa njëherit e ka ftuar Kosovën që t’i bashkohet iniciativës “Ballkani i Hapur”.

“Për ne është i shenjtë interesi i Serbisë, pavarësia e plotë e Serbisë në vendosjen për të gjitha çështjet e brendshme dhe për politikë të jashtme, në përputhje me interesat nacionale. Po ashtu edhe parimet e të drejtës ndërkombëtare, ruajtjen e interesit vital dhe sigurisë së njerëzve tanë në Kosovë e M. Ne do të vazhdojmë të punojmë në iniciativën ‘Ballkani i Hapur’ dhe shpresojmë që Mali i Zi e Bosnjë-Hercegovina do të na bashkohen së shpejti. E përsërisë se iniciativa është e hapur edhe për Prishtinën, pasi do të sigurojë një dialog për temat më të rëndësishme, për cilësinë e jetës së të gjithë njerëzve në këto territore dhe rrjedhimisht edhe sigurinë e serbëve në Kosovë e M.”, tha Bërnabiq, raporton “RTS”.

Bërnabiq gjatë fjalimit ka kërkuar themelimin e Asociacionit, duke thënë se ka 10 vjet që është arritur marrëveshja.

“Shumë me të drejtë presim që BE-ja si nënshkruese e Marrëveshjes së Brukselit dhe Prishtina të përkujdesen, pa vonesa të mëtutjeshme, që të themelohet Asociacioni i Komunave Serbe, me të gjitha kompetencat nga marrëveshja, pasi kanë kaluar gati 10 vjet nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje. Ne do të vazhdojmë me të gjitha forcat tona ta mbështesin popullin tonë në Kosovë e M. dhe të investojmë. Ne do të vazhdojmë të ruajmë unitetin e popullit serb në Kosovë e M. dhe do të investojmë në rindërtimin, restaurimin dhe ruajtjen e trashëgimisë sonë fetare e kulturore në Kosovë e M.”, tha Bërnabiq.

Për Bërnabiqin është mandati i dytë si kryeministre e Serbisë.

Ajo gjatë fjalimit ka thënë se tetë vende kanë dorëzuar notë për tërheqje të njohjes së Kosovës.

“Qeveria do të punojë për hyrjen e Serbisë në BE, por ne kërkojmë që të gjithë të respektojnë integritetin tonë territorial dhe po ashtu parimet e të drejtës ndërkombëtare të respektohen plotësisht. Serbia në vitin 1999 u bombardua dhe ndaj saj u bë agresion, ndaj një shteti që nuk kishte shkelur territorin e një vendi tjetër”, tha Bërnabiq.