1 perditesime
Arbëri

Cramon: Qeveria e Kosovës t’i shfrytëzojë mundësitë para se në BE të vijë krahu i djathtë

Cramon: Qeveria e Kosovës t’i shfrytëzojë mundësitë para se në BE të vijë krahu i djathtë
Foto: Driton Paçarada/KOHA
10:15

Cramon: Qeveria e Kosovës t’i shfrytëzojë mundësitë para se në BE të vijë krahu i djathtë

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të shfrytëzojë mundësitë që i jepen gjatë presidencës çeke të Bashkimit Evropian, pasi pas kësaj, gjërat do të jenë më të vështira për të.

Në konferencën për media të mbajtur të hënën në Prishtinë, Von Cramon ka thënë se pas Çekisë, presidencën e BE-së do ta marrin vendet të cilat drejtohen nga parti të djathta, andaj nuk do të ishte mirë që gjërat të shtyhen.

Çekia përfundon kryesimin e presidencës së BE-së në fund të vitit.

“Duhet ta kuptoni se çfarë është më mirë për vendin, nëse është më mirë të kërkohet gjithçka apo të kërkohet 90 për qind p.sh. Unë do të rekomandoja që në Kosovë të pranohet ai 90 për qindësh sesa të mos merret asgjë. Kjo është mundësi që Qeveria të shikojë përderisa krahët e djathtë në BE t marrin më shumë pushtet, gjërat do të bëhen më të vështira. Përderisa presidenca e BE-së do të kalojë nga Suedia te Spanja, a do t’i lehtësojë kjo gjërat? Nuk besoj, kështu që gjithçka që do të arrihej tani do të ishte zgjidhje më e mirë se gjithçka që shtyhet”, ka thënë ajo.

09:57

Von Cramoni për vizat: Në mes të nëntorit votohet në KE, s'ka datë për fundin e procesit

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, deklaroi se është e befasuar se si ende nuk është marrë asnjë vendim për përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave.

Ajo tha të hënën në një konferencë për media në Prishtinë, se në mes të nëntorit pritet të ketë edhe një votim nga Këshilli Evropian për këtë çështje, derisa shtoi se është problematike, pasi nuk është dhënë asnjë datë për përfundimin e procesit.

Cramon u shpreh se edhe ajo po vuan me qytetarët e Kosovës.

“Kjo ishte në agjendë për herë të parë në grupin punues të Këshillit Evropian. Ende s’është marrë një vendim i qartë, do të ketë edhe një votim kah mesi i nëntorit apo fillimi i dhjetorit dhe në prapaskenë po punojmë që ta shohim një vendim pozitiv që qytetarët e Kosovës e kanë merituar moti. Nuk mund t’ia shpjegosh askujt se kur Komisioni Evropian i shqyrton vlerësimet, që janë pozitive. Të gjitha kriteret janë përmbushur. Ende Këshilli s’ka vendosur, më besoni edhe unë po vuaj sa secili prej jush këtu. Kjo që po ndodh nuk arsyetohet , e shpresoj se do të shohim rezultate sa më shpejtë”, tha ajo.

Për procesin e dialogut, Von Cramon deklaroi se drafti franko-gjerman për marrëveshjen Kosovë-Serbi, është pozitiv dhe sipas saj, duhet të shqyrtohet nga Prishtina dhe Beogradi.

“Shihet se ka përparim të ri, është një frymë e re me gjithë procesin, po e shohim se në të dyja anët, si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd, e kanë kuptuar njerëzit se është koha dhe momenti që të arrijmë nëse jo një marrëveshje përfundimtare, të paktën një pako që do të ishte e pranueshme për të dyja palët. Është një rast i mrekullueshëm që të dyja palët të ecin drejt integrimit evropian. Është e nevojshme dhe Kosova si vendi më pro evropian, duhet ta përkrahë këtë”, deklaroi ajo.

Sipas raportueses së Kosovës në Parlamentin Evropian, Kosova dhe Serbia duhet t’i shqyrtojnë edhe çështjet e përditshmërisë, si njohja e letërnjoftimeve, njohja e diplomave dhe ato që lidhen direkt me jetën e qytetarëve.

“Duhet të ketë vullnet më të madh nga komuniteti serb që të integrohen në shoqëri. Do të dëshiroja që kjo të tejkalohej, të gjithë qytetarët e Kosovës të jetojnë këtu dhe të marrin letërnjoftimin e Kosovës dhe të kenë të drejta të barabarta. Ende ka vend për përparim. Na duhet një praktikë e mirë, një proces i lehtë që të gjithë të arrijnë këtë dhe të jenë qytetarë të barabartë”, tha Cramon.

Teksa foli për strategjinë e energjisë elektrike, shtoi se Kosova po vazhdon të operojë me kushte të vështira, ndërsa tha se Qeveria nuk mund ta ndryshojë këtë në aspektin e zhvillimeve gjeopolitike.

"Ne ballafaqohemi në gjithë Evropën dhe në BE kemi një gjendje me një rritje të jashtëzakonshme të çmimeve të energjisë. Javëve dhe muajve të fundit është një lloj kaosi. Po mundohemi të ndërtojmë një lloj solidariteti apo sindikate për energji. Dhe me rritjen e kërkesës për fosile që nuk vijnë nga Rusia, është e vështirë që të përmbushen nevojat e industrisë dhe të qytetarëve, që të sigurohemi që nuk ka çrregullime shoqërore edhe në Kosovë”, tha ajo, derisa u shpreh se është pro energjisë se gjelbër.

Cramon deklaroi se Kosova dhe Serbia duhet ta shfrytëzojnë momentumin që të arrijnë marrëveshje. Për procesin e targave që afati mbaron më 31 tetor, ajo u shpreh se e kupton frustrimin e Kosovës për zbatim e këtij vendimi, por që sipas saj, duhet të shqyrtohet edhe kërkesa e SHBA-së për shtyrje.

“Për targat ka argumente të mira për ta vazhduar shtyrjen e vendimit. E kuptoj edhe frustrimin e Qeverisë kur thuhet se kjo do të shtyhej përgjithmonë. Pala serbe është në dijeni, askush s’ka interesim për asnjë lloj provokimi apo agresioni, edhe nëse i përmbahemi afatit të 31 tetorit. Të futemi me hapa në këtë fazë dhe të mendojmë në mënyrë kreative si ta zbatojmë rregullën e re. Çfarë paralajmërimesh, çfarë gjobash. E di se Lajçak bashkë me Escobarin po kërkojnë një shtyrjen. Shtyrja do ta zbuste gjendjen, por e kuptoj edhe Qeverinë që thonë se duhet të vazhdojnë” .