Tri grupe parlamentare në Kuvendin e Serbisë janë bërë bashkë dhe kanë formuar një koalicion me qëllimin, sipas tyre, “ruajtjen e Kosovës brenda Serbisë”, njoftoi “Kossev” të mërkurën.
Udhëheqësit e koalicionit me 31 deputetë nga grupet parlamentare si “Dveri”, “Zavetnik” dhe “Nada”, thonë se kjo është një forcë e re politike e mbledhur pas “Deklaratës për riintegrimin e Kosovës dhe Metohisë në rendin kushtetues dhe juridik të Serbisë”.
Udhëheqësi i këtij koalicioni është caktuar Boshko Obradoviq, kryetar i “Dveri”, një parti radikale, njësoj si edhe dy partnerët tjerë në këtë grup.
Ai tha se qëndrim i këtij grupi të ri është se Rusisë nuk duhet t’i vihen sanksione.
“Si mund të mendojë dikush t’i vendosë sanksione një partneri strategjik dhe garantuesit të ruajtjes së Kosovës e Metohisë si pjesë e Serbisë”, tha Obradoviq.
Milosh Jovanoviq nga “Nada”, ka thënë se Serbisë i duhet një ndryshim radikal i politikës së saj ndaj Kosovës.
“Që nga viti 2008, Serbia e ka mbrojtur Kosovën vetëm në atë masë sa nuk do të zemëronte ‘partnerët’ tanë në Perëndim. Nëse dikush mendon se mund të ndërtojë një të ardhme më të mirë mbi humbjet, tërheqjet, heqjen dorë, kjo nuk ndodh. Nëse politika e koncesioneve vazhdon, pashmangshmërisht do të vijë njohja e shkëputjes së provincës sonë jugore dhe Serbia do të reduktohet në një 'Pashallëk Beogradi miqësor ndaj homoseksualëve'”, tha Jovanoviq.
Kryetarja e “Zavetnikut”, Milica Gjurgjeviq Stamenkovski, vlerësoi se "opozita shtetformuese" sot "në mënyrë unike formoi vijën e mbrojtjes së rendit kushtetues të Serbisë".
“Ne do të luftojmë për ruajtjen e rendit kushtetues, për arritjet e Rezolutës 1244 dhe do të kundërshtojmë çdo përpjekje për t'i imponuar Beogradit marrëveshje që do ta përjashtonte Kosovën dhe Metohinë nga rendi kushtetues dhe juridik i Serbisë”, tha ajo.
Sipas saj, është e nevojshme që Qeveria e re të ketë një Ministri për Kosovën, sepse siç tha, Zyra që tashmë ekziston, nuk është e rangut të lartë institucional.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.