Arbëri

Pas Prishtinës, Escobar do ta vizitojë Beogradin

I dërguari i posaçëm i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, më 20 tetor do të takohet në Beograd me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Siç është paralajmëruar, Escobar do të zhvillojë takim me Vuçiqin në Presidencën serbe në orën 09:30 të enjten, ndërkaq dy orë më vonë do të takohet me Bërnabiqin në Qeverinë serbe.

Pas këtyre takimeve nuk është paralajmëruar se do të ketë deklarata për media.

Më 19 tetor, Escobar vizitoi Prishtinën, ku përsëriti mbështetjen amerikane për anëtarësimin e Kosovës në institucionet euroatlantike.

Vizita e Escobarit në Kosovë ka ndodhur në kohën kur është raportuar se liderëve të Kosovës dhe Serbisë u është paraqitur një propozim nga Franca dhe Gjermania, që do të mund të ishte një kornizë e re për dialogun midis dy shteteve për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin e raporteve.

Sipas presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ky propozim konsiston në atë që shteti i tij të lejojë që Kosova të anëtarësohet në institucione dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në BE. /REL