Arbëri

SBASHK-u: Në 70 për qind të shkollave s’u mbajt fare mësimi

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ka thënë se në 70 për qind të shkollave në vend nuk është mbajtur mësim këtë të shtunë, sipas kalendarit të ri shkollor të vendosur nga Ministria e Arsimit, për t’i kompensuar orët e humbura si pasojë e grevës në shtator.

SBASHK-u në një komunikatë për media, ka thënë se edhe në ato shkolla që mbajtën mësim, numri i nxënësve ishte tepër i vogël.

Kjo sindikatë ka kërkuar nga Ministria e Arsimit që të mbajë takim urgjent me përfaqësues të drejtorive komunale, të Këshillit të Prindërve e SBASHK-un që të arrihet marrëveshje për t’i kompensuar orët në forma të tjera.

“Nëse nuk veprohet kështu, atëherë do të kemi situatë të njëjtë edhe në të shtunat tjera e aq më shumë edhe në ditët e rregullta të punës procesi mësimor nuk do të ketë rrjedhë të mbarë nga debatet që do të zhvillohen lidhur me çështjen e orëve e ditëve të humbura në grevë”, thuhet në komunikatën e SBASHK-ut.

Pos SBASHK-ut, edhe Këshilli i Prindërve ka dalë kundër kompensimit të mësimit gjatë të shtunave.