Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka paralajmëruar se 15 tetori është ditë mësimi për klasat nga 1 deri 8, sipas orarit të përcaktuar nga shkollat.
MASHTI ka bërë thirrje se orët e humbura për shkak të grevës duhet të kompensohen e për këtë arsye është bërë rishikimi i kalendarit të vitit shkollor 2022-2023.
Reagimi i MASHTI-t ka ardhur pasi Sindikata e Arsimit, Shkencës e Kulturës (SBASHK) ka njoftuar të enjten në konferencë për media se këtë të shtunë nuk do të mbahet mësimi.
“Bazuar në ndryshimet në kalendarin e rishikuar, ju informojmë se dita e shtunë, datë 15 tetor, do të jetë ditë pune për nxënësit e klasave 1-8, sipas orarit të përcaktuar nga shkollat. Gjatë një muaji të grevës, janë humbur gjithsej 22 ditë mësimi apo rreth 12 për qind e ditëve të vitit shkollor të cilat duhet të zëvendësohen. Për shkak të çrregullimeve në pandemi, humbjet në arsim në Kosovë janë shumë të mëdha, derisa këto humbje janë shtuar edhe më shumë për shkak të grevave. Muajt në vijim mund të ketë çrregullime potenciale që mund të shkaktohen nga problemet e furnizimit me energji elektrike andaj, çdo diskutim për mosmbajtje të mësimit, është jo vetëm i dëmshëm, por edhe qëllimkeq e tendencioz. MAShTI kërkon që të gjitha shkollat të organizohen sa më mirë për mbajtjen e orëve të humbura për shkak të grevës, ashtu siç e parasheh kalendari i rishikuar. Inspektorati i Arsimit do të jetë në terren dhe do ta mbikëqyrë zbatimin e kalendarit të vitit shkollor”, thuhet nga MASHTI.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.