Arbëri

Kurti konfirmon iniciativën franko-gjermane, Serbia kundër ulëses për Kosovën në OKB

Kryeministri Kurti e ka konfirmuar ekzistimin e një iniciative franko-gjermane për fazën finale të dialogut, por nuk ka zbuluar ndonjë propozim të mundshëm.

Ai nuk ka folur konkretisht mbi planin e prezantuar nga zyrtarë të Serbisë, sipas të cilëve propozimi nënkupton lejimin e ulëses për Kosovën në OKB në këmbim të përshpejtimit të perspektivës evropiane.

“Diskutohen modele të ndryshme, por nuk ka diçka përfundimtare e aq më pak vendimtare që do të mund të thuhej se ky është propozimi fanko-gjerman dhe rrjedhimisht diskutojeni tash e jepni vërejtjet. Më shumë ka si të them ide që qarkullojnë Berlin, Bruksel, Washington, por edhe Londër, Romë, Paris, Beograd dhe Prishtinë”, ka pohuar Kurti.

Kurti tha të jetë zotuar për transparencë lidhur me procesin, por e ka parasysh edhe konfidencialitetin që kërkohet në bisedime.

“Paralelisht me transparencën e procesit, dhe të gjitha idetë me të cilat shpeshherë ne testohemi nga zyrtarë dhe diplomatë të ndryshëm, nuk mund t’i hedhim në opinion. Pra, duhet diçka të ngurtësohet që të publikohet, përderisa është le të themi në gjendje të lëngshme, nuk është korrekte nga ana ime që ta publikoj. Pas ngurtësimit vjen publikimi”, shtoi kryeministri kosovar.

E në Serbi e kualifikuan presion kërkesën e diplomatëve evropianë që ky shtet të pajtohet që Kosova ta ketë ulësen në OKB.

“Perëndimi është i interesuar për anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe përgjigjja jonë është se ne nuk jemi të interesuar për këtë dhe se është e papranueshme. Kemi dhjetë vjet që presim të themelohet Bashkësia e Komunave Serbe, për të cilën Vjosa Osmani thotë se dokumenti në të cilin BE-ja ka vënë nënshkrimin nuk është i vlefshëm”, tha Petar Petkoviq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Por ambasadori amerikan në Beograd ka thënë se, ose tani, ose më vonë, serbët do ta njohin Kosovën. Prandaj, ka theksuar se është koha për të ecur përpara.

“Qoftë në këtë shekull apo në shekullin tjetër, serbët kur të zgjohen do të shohin se shqiptarët e kanë marrë Kosovën për vete dhe për këtë shpresoj që normalizimi do të arrihet, ndërkohë që të vazhdohet me gjërat që kanë rëndësi për qytetarët. Vendet perëndimore kërkojnë nga Beogradi dhe Prishtina t'u përmbahen procesit të dialogut, të përpiqen t’i ulin tensionet dhe të krijojnë hapësirë ​​që të bisedojnë me njëri-tjetrin për të krijuar marrëdhënie normale”, deklaroi ambasadori Christopher Hill.

Për muajin tetor është paralajmëruar një takim i nivelit të lartë në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Në BE nuk kanë treguar për datën e takimit dhe as për propozimet që u janë bërë palëve në kuadër të diskutimeve të deritashme.