Arbëri

Ikja e ministrit Latifi, vendimet e dy ditëve të fundit nxitën mospajtime me Qeverinë

Rifat Latifi më nuk është ministër i Shëndetësisë. Ai dha dorëheqje nga ky post, pa i bërë një vit në krye të këtij dikasteri.

Letra e dorëheqjes e Latifit nuk përmend ndonjë arsye specifike.

“Me zhgënjim të thellë dhe keqardhje pas shumë reflektimesh për disa muajt e fundit, po ju informoj se në mënyrë efektive ju ofroj dorëheqjen time nga posti i ministrit të Shëndetësisë së Republikës së Kosovës që nga sot më datën 6 tetor, 2022”, thuhet në dorëheqjen e Latifit.

Qeveria nuk foli fare për këtë çështje.

Përderisa arsyet ende nuk dihen, burimet e KOHËS kanë thënë që Latifi e Qeveria kanë pasur dy mospajtime në lidhje me dy vendime.

Këto burime kanë thënë që dy ditë më herët, Latifi ka emëruar ushtrues detyre në një institucion shëndetësor një ish-eksponent të AAK-së.

Një nga vendimet e fundit të Latifit është një shkresë, e cila i ka arritur gjatë ditës së sotme menaxhmentit të SHSKUK-së.

Ky institucion ka nxjerrë disa rregullore për riorganizimin e punës. Këto rregullore shkaktuan shumë pakënaqësi në staf. Siç ka mësuar KOHA, të mërkurën ministri ka takuar menaxhmentin, nga i cili ka kërkuar anulimin e tyre. Një burim ka thënë që gjatë takimit menaxhmenti ia ka bërë të ditur Latifit që ato rregullore nuk do të anuloheshin.

Kërkesën për anulim ai ua ka adresuar edhe zyrtarisht. Në shkresën e siguruar nga KOHA, jepen detajet e kërkesës së Latifit.

“Të gjitha intervenimet e reja në praktikën e dhënies së shërbimeve shëndetësore duhet të diskutohen me stafin e lidershipin e infermierëve ashtu që e gjithë puna të realizohet në mënyrë ekipore. Realizimi i këtij procesi lidhur me përshtatjen e këtyre kërkesave duhet filluar që nga sot”, thuhet në kërkesë.

Latifi gjatë punës së tij si ministër është kritikuar shumë për mungesë rezultatesh.

Vazhdimisht foli për Telemjekësinë si projekt madhor, ani pse ekspertët e kësaj fushe nuk e konsideronin çështje urgjente.

Pothuajse asnjë komunikatë e MSH në lidhje me ndonjë punë që lidhet me sigurimet shëndetësore në kohën e tij nuk u bë publike.

Nuk ka kaluar as edhe një ligj ose amendament i ndonjë ligji për këto 11 muaj. Tentoi që ta finalizojë Ligjin për Shëndetësi, por pas raportimeve të KOHËS, Kryeministri Kurti vendosi që finalizimi i këtij ligji të shtyhej për me vonë.

Gjatë kohës sa Latifi ishte ministër, KOHA publikoi një hulumtim të gjatë e të rëndësishëm në lidhje me keqpërdorimet në Fondin e Sigurimit Shëndetësor. Latifi nuk ishte marrë fare as më këtë institucion e as me raportimet, por e kishte caktuar si kryesues të reformës ligjore pikërisht drejtorin e këtij institucioni.

Këta 11 muaj shëndetësia publike nuk u përmirësua. Pati mungesë barnash si edhe viteve të kaluara, u rrit trendi i ikjes së mjekëve nga sistemi publik. Premtimi i parë i Latifit që do të kthejë truri nga jashtë nuk u realizua.

Në kohën kur shëndetësia publike është në pikën më të ulët, Latifi kaloi shumë javë në udhëtime zyrtare.

Ai po ashtu, do të mbahet në mend si ministri të cilit de facto iu morën kompetencat nga kryeministri, në përpjekje për t’i përmirësuar shërbimet shëndetësore.