Këshilli i Prindërve të Kosovës sërish ka reaguar për mospagesën e mësimdhënësve.
Punonjësit e arsimit ende nuk kanë marrë pagat e shtatorit. Ministri i Financave, Hekuran Murati, kishte lënë të kuptohet se nuk do të ketë pagesë të mësimdhënësve, ndonëse janë paguar punonjësit e administratës që po ashtu kishin qenë në grevën e përgjithshme të BSPK-së.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka publikuar pak ditë më parë kalenadarin e ri shkollor, ku ka përfshirë edhe kompensimin e orëve të humbura. Nga MASHTI është thënë se ka bërë kërkesë në Ministri të Financave për të dhënë avancë pagë për mësimdhënësit për kompensimin e orëve që pritet të bëhet.
Këshilli i Prindërve ka thënë se pa pagesën e mësimdhënësve nuk ka kuptim as kalendari i ri shkollor. Madje ka reaguar duke thënë se MASHTI ka përpiluar kalendarin pa u konsultuar fare me Këshillin e Prindërve.
“Prindërit janë të stërlodhur me gjendjen e pashpresës të përmirësimit të sistemit arsimor publik në Kosovë dhe presin normalitet, zhvillim, siguri, llogaridhënie e cilësi në arsim. Asnjëra nga këto nuk duket në horizont. Pa pagesën e mësimdhënësve nuk ka kuptim as kalendari i ri shkollor (edhe ashtu i përpiluar pa asnjë konsultim me këshillin e prindërve) e aq më pak kompensimi i orëve të humbura nga greva”, thuhet në reagimin e Këshillit të Prindërve në Facebook. “Solidariteti ynë me mësimdhënësit për pagat është i plotë dhe i pakushtëzuar”.
Reagimi i Këshillit të Prindërve:
?PAGAT E MËSIMDHËNËSVE
1️⃣ Për shumicën e prindërve të Kosovës, mosdhënia e pagave nga Qeveria e Kosovës vetëm mësimdhënësve grevistë (ndërsa të punësuarit grevist në sektorët e tjerë janë paguar) është vendim i kontestueshëm ligjërisht, i padrejtë dhe i dëmshëm në shumë dimensione. As kushtëzimi apo riemërtimi i dhënies së pagës nuk është aspak më i mirë, përkundrazi. Për habinë më të madhe as punëtorët teknikë, menaxhmentet e shkollave, mësimdhënëset lehona apo mësimëdhënësit që kanë mbajtur mësim nuk janë paguar. Pra një seri gabimesh, me pasoja juridike, në këtë vendim.
2️⃣ Ndërsa greva ishte akt krejt i paarsyeshëm i SBASHK (dhe në momentin më të keq të mundshëm), mospagesa e mësimdhënësve (së paku jo në afatin ligjor dhe më dëmet juridike të shumëfishta tashmë të realizuara) është përgjigjja institucionale më e padëshiruar edhe nga prindërit.
3️⃣ Pasojat e mospagesës së mësimdhënësve do të reflektohen në fund tek pamundësimi i krijimit të kushteve normale për mësimdhënie, denigrimit të rëndë institucional shtetëror ndaj (vetëm) një kategorie të punësuarish, humbjes së besimit dhe shpresës për shtet të së drejtës por edhe shtyrjen e diskutimit për temën e cilësisë në arsim.
4️⃣ Prindërit janë të stërlodhur me gjendjen e pashpresë të përmirësimit në sistemin arsimor publik në Kosovë dhe presin normalitet, zhvillim, siguri, llogaridhënie e cilësi në arsim. Asnjëra nga këto vazhdon të mos duket askund në horizont.
5️⃣ Pa pagesën e mësimdhënësve nuk ka kuptim as kalendari i ri shkollor (edhe ashtu i përpiluar pa asnjë konsultim me këshillin e prindërve) e aq më pak kompensimi i orëve të humbura nga greva.
?Solidariteti ynë me mësimdhënësit për pagat është i plotë dhe i pakushtëzuar.