Arbëri

Çeku: Vetëm projektimi i Teatrit të Operës dhe Baletit kushton 2.5 milionë euro

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se vetëm projektimi i Teatrit të Operës dhe Baletit kushton rreth 2.5 milionë euro.

I ftuar të mërkurën në emisionin Sonte me Rronin në KTV, Çeku ka thënë se ky buxhet është arritur të sigurohet me vendim të Qeverisë, për shkak se në ministrinë që drejton, nuk është gjetur një hapësirë e tillë buxhetore.

Ai ka njoftuar se shumë shpejt do të shpallet konkursi ndërkombëtar për projektimin e teatrit.

“Procedura e parë për ndërtimin e teatrit të Operës dhe Baletit ka qenë të kërkojmë nga Komuna e Prishtinës për të identifikuar një lokacion ku mund të ndërtohet ky teatër. Ne kemi insistuar në lokacion sa më qendror për shkak të rëndësisë së Operës dhe Baletit. Vetëm projektimi i një gjiganti si TOB-i sipas kalkulimeve tona kushton 2.5 milionë. Është siguruar edhe ky buxhet me vendim të qeverisë sepse nuk e kemi pasur në ministri atë hapësirë buxhetore dhe shumë shpejt shpallet konkursi ndërkombëtar për projektimin e teatrit. Kur të vijë projekti,. Hapen procedurat për ndërtimin dhe kjo vazhdon disa vite derisa të përfundojë”, ka thënë Çeku.

Derisa ka folur për punën 18-muajshe në krye të ministrisë, Çeku ka thënë se kur e ka nisur detyrën, ka gjetur 200 projekte kapitale të nisura, por jo të përfunduara.

Sipas tij, administratat e kaluara do të duhej të jepnin llogari për performancë të dobët, kur bëhet fjalë për këto projekte kapitale.

“Kur e kam nisur detyrën kam gjetur 200 projekte kapitale të nisura, të lëna në gjysmë, me shumë probleme që unë tashmë po i trajtoj një nga një, ose t’i mbylli dhe t’i përfundoj ose t’i anuloj fare aty ku nuk ka as projekt të duhur që atë projekt ta çojmë deri në fund. Në Ministrinë e Kulturës po ndodhë ajo që po ndodh në ministritë e tjera, p.sh 200 projekte kapitale të nisura e jo të përfunduara në formë të duhur. Si mundet që të kenë performancë kaq të dobët dhe në fund askush nga ajo administratë mos të japë kurrfarë llogarie për këto ngecje”, ka thënë ai.

Çeku ka folur edhe për Qendrën Kinematografike të Kosovës, për të cilën ka thënë se qëkur ka marrë drejtimin e ministrisë, buxheti i kësaj qendre është trefishuar.

“QKK-në e kam marrë me buxhet 700 mijë euro në vit, vitin e ardhshëm buxheti i QKK-së do të jetë 2 milionë euro, ne e kemi vënë targetin për ta arritur të paktën rajonin që ka rreth 5-6 milionë në vit”, ka thënë ai.