Në ditën e fundit të afatit që punëtorëve të sektorit publik me kontratë parashihet t’u ekzekutohen pagat, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka përsëritur se do ta zbatojnë Ligjin për greva.
“Do ta zbatojmë ligjin sa i përket pagave për grevistët”, ka thënë Murati për KP-në të mërkurën.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoQeveria deri tash ka arsyetuar mospagesën me nenin 18 të Ligjit për greva. Ky nen parasheh që “gjatë zhvillimit të grevës, të pezullohen detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës, duke e përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar”. Pika mbi pagesën dhe detyrimin është precizuar në ndryshimin e ligjit që është bërë në vitin 2012.
Greva në sektorin publik kishte filluar më 25 gusht. U pezullua javën e kaluar, pas votimit të sindikatave. Është paralajmëruar që greva do të rifillojë në janar në rast se nuk plotësohen kërkesat.
Gjatë kësaj periudhe, Qeveria u shpreh se s’do t’i paguajë mësimdhënësit grevistë. Më 4 tetor, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci propozoi pagë avancë për mësimdhënësit, si kompensim për zëvendësim të orëve me ndryshim të kalendarit shkollor.
Sindikata e Bashkuar për Arsim ka paralajmëruar veprime në rast se pagat nuk do të ekzekutohen deri sot në ora 16:00.
Në SBASHK janë ankuar se me ndalesën e pagave po bëhet diskriminim. Sipas tyre, pagat janë ekzekutuar për shërbyesit civilë, që po ashtu ishin në grevë, e se pa paga kanë mbetur vetëm mësimdhënësit.