Arbëri

LDK-ja i bën thirre Vetëvendosjes që ta ndalë propagandën

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ndaj videos së postuar nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, e cila i ka quajtur opozitën dhe sindikatat si shkatërruese të vendit.

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka thënë se partia në pushtet duhet ta ndalë propagandën, dhe ka thënë se Vetëvendosje po e ndjekë rrugën autoritariste.

“Partia në pushtet duhet të ndal propagandën. Kjo qasje nuk i kontribuon zhvillimit të vendit. Emetimi i spotit pikërisht në ditën kur fillon mësimi e ndalen pagat e mësimdhënësve, tregon për rrugën autoritariste që po e ndjek kjo parti. Shqetësues, skenari i përgatitur për thellim krizash. Kosova meriton qeverisje, në krijimin e mirëqenies për qytetarët, jo synim e përpjekje për të mbytur zërin kritik në ujërat e turbullta të pushtetit autokratik. Kryeministri duhet të orientohet drejt vlerave të demokracisë, në të kundërtën vendi ynë me këtë frymë të krijuar do të bëhet i pajetueshëm. Trajtimi i të gjithë të tjerëve që nuk janë pjesë e pushtetit si armiq të shtetit është vesi më i keq i pushtetarëve me prirje autoritare. Kurse bindja se "shteti jam unë", po ashtu është armiku dhe kërcënimi më i madh i çdo rendi demokratik. Të gjitha demokracitë deri më sot kanë vdekur pikërisht kur paranoja të tilla janë bërë model i sjelljes politike të pushtetit”, ka shkruar Halimi në Facebook.