Arbëri

Abdixhiku e quan Kurtin të paaftë, thotë se i bëri mësimdhënësit tabelë qitjeje

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se në vend të qetësimit e përafrimit, kryeministri Albin Kurti po kërkon tension.

Sipas tij, ai s’mund të jetojë pa krizë prandaj dhe dënon mësimdhënësit e vendit.

Abdixhiku ka shtuar se Kurti është njeri i zymtësisë, arrogancës e i ndjelljes së frikës. Shton se është politikan i paaftësisë.

“Si i tillë, është gjithçka përveçse kryeministër. Sot u tregua dhe njeri i vogël. Në prag të dimrit të vështirë, në vazhdimësi të papërballueshmërisë, në stagnim ekonomik e në ikje masive - ai vendosi t’i tregoj dhëmbët. Dhe për kë? Për mësimdhënësit e vendit - shtresën më të goditur nga kriza”, ka thënë ai.

Sipas tij, mashtrimi popullist s’duket ndryshe. Ai ka thënë se Kurti dje ishte shfrytëzues i kauzave të tyre, sot është bërë dënues kolektiv në mes të krizave.

“Mësimdhënësit e vendit, ata që u bënë tabelë qitjeje nga ushtritë digjitale të pushtetit, ta kuptojnë se Qeveritë janë të përkohshme por shteti mbetet i përhershëm. Këto paga do t’u paguhen - herët apo vonë. S’ka forcë që ju merr të drejtën mbi to; merreni këtë si zotim publik timin dhe të LDK-së. Deri atëherë, ne do të bëjmë çdo përpjekje të mundshme, të detyrojmë pushtetin mashtrues të ekzekutojë pagesat”, ka thënë ai.