Arbëri

Shqipëria dënon aneksimin e katër rajoneve ukrainase nga Rusia

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka thënë se vendi dënon referendumet e rreme të organizuara nga Rusia në Ukrainë dhe nuk do të njohë rezultatet e tyre të paracaktuara.

Në një postim në rrjetet sociale, Xhaçka thekson se çdo aneksim i territorit të një shteti nga një shtet tjetër, që vjen si pasojë e kërcënimeve ose nga përdorimi i forcës është shkelje e parimeve të Kartës së OKB-së dhe ligjit ndërkombëtar.

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se vendimi për aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës është marrë nga banorët e zonave, të cilët morën pjesë në të ashtuquajturin referendum.

“Rezultatet dihen, dihen mirë. Jam i sigurt se Asambleja Federale do të mbështesë katër subjektet e reja të Federatës Ruse sepse ky është vullneti i miliona njerëzve”, u shpreh të premten Putini, teksa u duartrokit nga anëtarë të qeverisë së tij.

Sipas zyrtarëve rusë, katër rajonet, të cilat përfaqësojnë rreth 15% të Ukrainës, votuan me shumicë për t’u bashkuar me Rusinë.

Të katër rajonet formojnë një rrip të rëndësishëm tokësor midis Rusisë dhe Gadishullit të Krimesë, të cilin Moska e aneksoi ilegalisht nga Ukraina në vitin 2014.

Ukraina thotë se do të vazhdojë të luftojë për të çliruar rajonet e aneksuara të Donetskut, Luhanskut, Khersonit dhe Zaporizhzhias.