9 perditesime
13:02

S’ka kuorum për t’i vazhduar masat emergjente për energjinë

Vetëm 58 deputetë kanë marrë pjesë në votim për vazhdim të masave emergjente për furnizim me energjinë. Për shkak të mungesës së kuorumit, ka dështuar votimi i kërkesës së Qeverisë për masat emergjente.

Në fjalimin e fundit para votimit, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se për çmimin e rrymës duhet të ketë diskutim të hapur.

“Masat emergjente, sipas natyrës janë emergjente, kërkon Kuvendi. Do të vijmë edhe dhjetë herë e do të kërkojmë nga ju të votohet pasi është e nevojshme për të bërë zgjidhje të shpejtë për qytetarët. Çmimi më i lirë është në Kosovë, nuk është as në Shqipëri e as Maqedoni. Në Shqipëri e Maqedoni situata po mbahet të tillë duke paguar 1000 euro për megavat orë. Duhet të kemi diskutim të hapur në Kuvend, shoqëri kudo, për atë sa duhet të paguajmë me çfarë çmimi për megavat orë si shtet”, ka thënë Rizvanolli.

E Abelard Tahiri i PDK-së i tha Rizvanollin se shtetet tjera rajon kanë siguruar energji, e Kosova ka nisur reduktimet në gusht e rrezikon në dimër të mbetet pa energji.

Ndërkohë ka kaluar në parim projektligji për sanksionet e shёnjestruara kundër shkelësve të huaj të drejtave të njeriut, me 70 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

12:57

Tahiri kritikon Kurti për energjinë: Reflekto, angazhohu si kryeministrat e rajonit

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për vendimin për zgjatje të masave emergjente për rrymën, duke kërkuar angazhim nga kryeministri Albin Kurti “si kryeministrat e rajonit.

Të enjten në rend dite u fut mocioni për vazhdim të masave emergjente. Tahiri ka thënë se ky vendim po përcillet me mostransparencë në tenderë.

“Për katër herë radhazi e shpallim gjendjen emergjente. Përballemi me mungesë të energjisë në muajin gusht, që s’jemi përballë as në vitin 1999 kur jemi çliruar. E kemi parë kryeministrin e Maqedonisë që ka deklaruar se nuk do të ketë ngritje çmimesh dhe se është siguruar energji. Njëjtë edhe Shqipëria. V vetmi njeri që se ka bërë këtë është kryeministri ynë. Në vendin tonë prej 100 për qind të prodhimit, 93 prodhohet nga thëngjilli dhe fatkeqësisht nuk kemi parë mirëmbajtjen e duhur të këtyre termocentrale nga Qeveria. Nuk po e di çka shërben shpallja e gjendjes emergjente. Çmimi është rritur. Planifikim të duhur nuk ka. Qeveria qëndron në heshtje. Kjo paaftësi kur po bëhen 2 vjet që po ballafaqohesh me probleme e njëjta duhet t’i largoni këta njerëz pak. Kryeministri duhet të reflektojë. Ne jemi për t’ju ndihmuar ta përballojmë këtë gjendje sa më lehtë. Në radhë të parë këtë proces po e karakterizon një mostransparencë e madhe. Nuk e dimë sa para janë shpenzuar. Sa para janë harxhuar në mbulim të kostos së energjisë nga buxheti i qeverisë? Situata në të cilën po e sillni vendin është e rëndë dhe e patolerueshme. Për një gjë po ju shërben mirë shpallja e masave emergjente që të bëhen kontrata njëburimore në KEK pa procedura transparente e të prokurimit. Na duhet një angazhim i kryeministrit si kryeministrat e rajonit”, ka thënë Tahiri.

11:15

Nagavci thotë se kanë plotësuar mbi 90 për qind të kërkesave të mësimdhënësve

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se sot u bënë 21 ditë që mësimi nuk po zhvillohet për shkak të grevës.

Ajo ka thënë se ka pritur nga të gjithë që në deklaratat publike të bëjnë thirrje për gjetjen e një zgjidhjeje.

Nagavci ka thënë se mund të flasin çfarëdo që duan, por u ka bërë thirrje mësuesve e prindërve që të gjykojnë drejtë.

“Kjo Qeveri i ka rregulluar koeficientet në Ligjin për Paga për të gjithë mësimdhënësit. Në mbledhjen e Komisionit, përfaqësuesit e SBASHK-ut kanë pranuar që Qeveria i ka plotësuar mbi 90 për qind e kërkesave të mësimdhënësve. Thërras të gjithë mësimdhënësit që thirrje të jetë e sinqertë që të hënën të nis mësimi”, ka thënë ai.

Ndërkaq kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se ministrja nuk e meriton të jetë në këtë pozitë.

Sipas tij, qeveria nuk duhet të bëjë thirrje, por zgjidhje.

“Ministrja del këtu dhe lexon se si i kanë përmirësuar kushtet. Mësimdhënësit po dalin po thonë që janë duke jetuar shumë vështirë. Nuk po e ofroni asnjë mundësi që ai ligj të vjen sa më shpejtë në Kuvend. Ofroni zgjidhje”, ka thënë ai.

11:02

Kurti: Çmimet s’janë rritur vetëm për arsimtarët dhe mësuesit

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se pakoja për përballje me inflacionin është edhe si rezultat i trysnisë së Bashkimit të Sindikatave të Pavarura me greva. Në fjalimin në Kuvend, Kurti ka thënë nuk mund t’i trajtojë grevat në arsim si problem specifik.

“S’ka synim për triumfalizëm. Më 1 shtator kemi takuar kryetarin e BSPK-së, Atdhe Hykollin, dhe ia kemi ofruar triumfin ta publikojmë bashkë pakon për inflacion. Kam dashur që ata të bëhen pjesë e fitores. Është edhe rezultat i trysnisë së tyre pakoja që po e bëjmë. Ju ka pëlqyer, por nuk kanë pranuar pasi kanë dalë nga takimi e nuk e di me kë janë konsultuar. Ju ka pëlqyer ideja që po sjellim pako për përballje për inflacion. BASKK-ja do ta kishte triumfin më 2 shtator e të mos detyrohesha vetëm unë me ministrin ta prezantonim pakon më 3 shtator”, ka thënë Kurti.

Ai ka vazhduar se çmimet s’janë rritur vetëm për arsimtarët dhe se pakoja për përballje me inflacionin i prek të gjithë pasi produktet janë shtrenjtuar për të gjithë. “Në markete nuk shkruan se këto produkte janë më shtrenjtë vetëm për mësimdhënësit”, ka shkruar Kurti.

Ai ka shtuar se Vetëvendosje ka garuar me platformën për punësim dhe drejtësi. Ka shtuar se s’ka pasur synim për rritje pagash, por se kjo do të ndodhë me Ligjin për Paga.

Kurti është shprehur i habitur se përse Haradinaj flet në emër të mësimdhënësve.

Ai ka thënë se njerëzit që po ikin nga vendi janë kryesisht punëtorë të sektorit privat. Ka thënë se pa u rregulluar ky sektor në aspektin e pagave dhe kushteve të punës, njerëzit do të vazhdojnë të ikin.

10:56

Haradinaj – Kurtit: Mësuesit do ta tregojnë qejfin kur vjen vakti

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka thënë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se do të marrë përgjigjen e mësimdhënësve kur të “vijë vakti”.

Haradinaj nga foltorja e Kuvendit ka shpjeguar se pengohet vazhdimisht gjatë fjalimit nga kabineti qeveritar dhe tregon se kjo ishte arsyeja pse pak minuta më parë kishte ndalur fjalimin në gjysmë.

“Sa herë flasë prej foltores nga prapa pengohem, mënyra të ndryshme me fjalor jo aq njerëzor. Nuk e dëgjon publiku, por e dëgjon ai që flet. Ka të tjerë, s’po përmendi emra, nëse vazhdon praktika duhet të kthehem me ja kthy unë në atë mënyrë. Ju paralajmëroj pasi nuk kam rrugë tjetër. Ky ‘good guy’ i yni këtu është i keqtrajtum, është rritur me urrejtje. Regjimet, regjimi i këtij, i atij. Prej që është bërë regjim, është kthyer duke u urryer ata që e kanë sjellë këtu, si ka mbetur kënd me urryer tjetër. I ka urryer me shpirt. Prej që është bërë regjim, po i urren tash ata që e kanë sjellë. Armiqtë e brendshëm, kush janë për të, sindikatat, mësuesit, duhet me i urryer, me tentu me i nënshtru. S’po e nënshtron PAN-in, por mësuesit, ta tregojnë ata vendin kur vjen koha. I ka gjetur miqtë e brendshëm brenda VV-së po ashtu, do nuk ia votojnë do ia votojnë”, ka thënë Haradinaj.

10:52

Murati opozitës: Cilën hallkë tjetër do ta përdorni për ta dëmtuar Qeverinë

Ministri i Financave, Hekuran Murati, duke iu drejtuar kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi i cili deklaroi se “kryeministri po do të tregohet i panënshtruar”, ai e ka pyetur nëse qellim i tyre ka qenë ta nënshtrojnë atë.

Ai ka pyetur se cilën hallkë do ta përdorin për ta dëmtuar qeverinë.

“Sa i përket investimeve kapitale, me shumë siguri e keni parë raportin e Komunës së Prishtinës dhe për 6-mujorin e parë vlera e investimeve kapitale është 6 për qind. Kur flet për bilancin bankar, do të kemi dimër shumë të vështirë. Prandaj ajo nuk është luks. Nëse doni me pa se si menaxhohet likuiditeti, shikojeni serish Komunën e Prishtinës. Më shumë se 60 për qind e buxhetit është e pashfrytëzuar”, ka thënë ai.

10:39

Ministri Murati i ndërhyn Haradinajt, ky ia kthen “hajde në foltore, urdhëro”

Image

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka ndërprerë shkurtë fjalimin e tij në foltore të Kuvendit të Kosovës, pasi i ka ndërhyrë ministri i Financave, Hekuran Murati.

“Hajde në foltore, urdhëro”, ka thënë Haradinaj, ndërsa ka shkuar të ulet.

E kryetari i Kuvendit, Glaul Konjufca, i tha ministrit Murati që të mos ndërhyjë.

E deputeti i AAK-së, Bekë Berisha po ashtu reagoi, duke e quajtur ministrin Murati, “kastravec”.

Haradinaj gjatë fjalimit që pati tha se mësimdhënësit që kanë mbajtur grevë, shumica kanë fëmijë dhe shumica prej tyre janë në shkolla ku japin ata mësim. Dhe se asnjëri nuk beson se ata kanë dashur me qejf të lënë fëmijët e tyre në shtëpi.

“Nga viti 2018 pagat nuk janë rritur. Prej atëherë vazhdon intenzivisht me u shtrenjtuar jeta. Jo vetëm për mësuesin, por për cilindo”, ka thënë Haradinaj.

10:38

Mustafa: Investimet kapitale kanë ngecur, Qeveria ruan rreth 800 milionë euro në banka

Image

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, ka thënë se ende nuk ka ndonjë investim apo realizim substancial të investimeve kapitale që ndërlidhin qendrat e qyteteve.

Sipas tij, nuk është parë asnjë investim kapital sa i përket investimit në kapacitetet e reja gjeneruese në fushën e energjisë.

Sipas tij Qeveria ka rreth 800 milionë euro në llogaritë bankare, që nuk investohen në projekte kapitale.

“Ne sot kemi deponuar një kërkesë për debat për mosrealizimin e investimeve kapitale për vitin 2022”, ka thënë ai.

10:37

Krasniqi: Për Kurtin nuk janë me rëndësi nxënësit, por fundi triumfues

Image

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se për kryeministrin Albin Kurti nuk ka qenë me rëndësi dëmi që u është shkaktuar nxënësve nga greva, por sipas tij, për një politikan të tillë është i rëndësishëm fundi triumfues.

Kreu i opozitës pati akuza edhe për ministrat dhe deputetët e shumicës, duke thënë se menduan vetëm si të dalin triumfues nga greva në arsim.

“Është fundi i javën së pestë prej kur nxënësit nuk kanë nisur mësimin. Kryeministri ka vazhduar me logjikën e konfrontimit. Qysh para tre javësh kam folur për nevojën e kompromisit dhe jemi të gatshëm të ndihmojnë në çfarëdo mënyre. Se sa e dëmshme dhe çfarë dëmi u është shkaktuar këtyre fëmijëve si pasojë e grevës. Lavdi politike nuk ka prej kësaj pune. Çfarë ka bërë kryeministri në ndërkohë? U ka treguar militantëve se çka do të thotë të jesh kokëfortë dhe të mos nënshtrohesh ndaj Rrahman Jasharajt e mësimdhënësve. Për të nuk janë me rëndësi dëmi që u shkaktohet nxënësve, për të është i rëndësishëm fundi. Sepse i tillë ka qenë gjithmonë. Të tillë janë ata politikanë që nuk shikojnë t’ia përmbushin nevojave qytetarëve, por përmbushjen e egos së pushtetarëve”, ka thënë Krasniqi.

Kryetari i PDK-së tutje ka thënë se krejt çfarë ka bërë kjo Qeveri është ndarja e shoqërisë në dy taborë, siç thotë ai, “ja na, ja ata”.

“Këto humbje afatgjate nuk i mendoj askush në këtë Qeveri, as ju deputetë të shumicës. Menduat vetëm si të dilni nga greva si triumfues. Përderisa qytetarët kanë telashe socio-ekonomike, kanë pritur investime nga kjo Qeveri – e vetmja gjë që ka bo kjo Qeveri në këto dy vjet është ndarja në dy taborë, ja na - ja ata. Është e tmerrshme çfarë mendësie ja ka veshur pushtetit Albin Kurti. Mësimdhënësit ndoshta edhe do ta ndërpresin grevë, por është treguar një qeveri jolegjitime që është në pushtet, por nuk ofron zgjidhje. Nuk dialogun, por e ka mision me përça shoqërinë”, është shprehur tutje ai.

08:16

Sot në Kuvend dy seanca, diskutohet plotësimi i Ligjit për skemat pensionale

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot dy seanca. Duke filluar nga ora 10:00 do të mbahet një seancë e re plenare ku në rend të ditës do të kenë gjashtë pika.

Ndër të tjera do të shqyrtohet projektligji për sanksionet ndaj shkelësve të huajë të të drejtave të njeriut, projektligji për anti-doping, projektligji për edukimin në fëmijërinë e hershme.

Ndërsa nga ora 14:00, do të bëhet vazhdimi i pikave të papërfunduara i seancave të mbajtura më 4 gusht, 15 gusht, 22 shtator dhe 23 shtator.

Në njërën nga pikat do të shqyrtohet edhe plotësimi i ligjit për Skemat Pensionale.

Seanca e orës 10:00.

Rendi i ditës

1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

2. Pyetjet parlamentare,

3. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-155 për sanksionet e shёnjestruara kundër shkelësve të huaj të drejtave të njeriut,

4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-152 për Anti dopingun,

5. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-153 për edukimin në fëmijërinë e hershme,

6. Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komunitetit shqiptar.

Seanca që nisë në ora 14:00:

Rendi i ditës

I. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 15 gusht, 22 dhe 23 shtator:

Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-123 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive,

Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-147 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti,

Shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2021,

Shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2021,

Shqyrtimi i Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2020,

Shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.05/L-003 për Mbikëqyrjen Elektronike të Personave të Cilëve u Kufizohet Lëvizja me Vendim të Gjykatës,

Shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.06/L-010 për Noterinë,

Shqyrtimi i Rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës për vitin 2021.

II. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 4 gusht 2022, janë:

28. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës,

35. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-149 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-010 për noterinë,

36. Shqyrtimi i Strategjisë së Sigurisë së Kosovës 2022-2027,

37. Zgjedhja e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga komuniteti shqiptar,

38. Shqyrtimi i rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2021 dhe Raportit të Auditimit të performancës “Menaxhimi i fondeve publike në Radiotelevizionin e Kosovës”,

39. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave.