2 perditesime
23:36

Dreshaj për grevën: Kryeneçësi e dyanshme, por përgjegjësia bie mbi Qeverinë

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, ka konsideruar se përgjegjësia është e Qeverisë që t’i plotësojë kushtet për mbajtje të procesit të rregullt mësimor.

I ftuar të mërkurën në Interaktiv të KTV-së, Dreshaj ka thënë se deri tani janë parë inate të dyanshme midis Qeverisë dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, që kanë rezultuar me barrikadime prej të cilave viktimë kanë rënë fëmijët.

“Fëmijët janë bërë objekt i prezantimit para opinionit, përgjegjësia nuk është e mësimdhënësve, përgjegjësia është e Qeverisë që t’i plotësojë kushtet për mësim të rregullt. Këtë nuk e kemi parë, kemi parë inate të dyanshme me barrikadime. Viktimë janë fëmijët, mësuesi nuk e ka vendin në rrugë, as në bojkot, as në shtëpi, por në klasë me nxënës. Këtu kemi ardhur për shkak të kryeneçësive të dyanshme. Qeveria do të duhej të reflektojë, t’i plotësojë kushtet, të shkojnë nxënësit në shkollë, e jo të jemi në situatën e sotme. Uroj që anëtarësia e SBASHK-ut t’i bindet qëndrimit të SBASHK-ut që mësimi të fillojë të hënën”, ka thënë Dreshaj.

Për deklaratën e kryeministrit Albin Kurti, i cili e cilësoi SBASHK-un “sindikatë të PAN-it”, Dreshaj ka thënë se nuk ka parë asnjë kërkesë politike nga ana e sindikatës. Sipas tij, të gjitha kërkesat kanë qenë praktike.

“E keqja më e madhe është që sindikata të identifikohet me parti politike. Unë nuk kam parë kërkesa politike të sindikatës, por praktike. Nuk ka PAN pas tyre, nuk ka LDK e as VV pas tyre. Duhet të dy palët të ulen dhe të kenë diskutim të sinqertë pa inate”, ka thënë ai.

23:25

Dreshaj: Kurti s’mund të mburret me investimet në shëndetësi

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, deklaroi se Qeveria Kurti nuk mund të mburret me investimet në shëndetësi, pasi siç tha ai, investimet kapitale janë minore.

Dreshaj deklaroi në Interaktiv të KTV-së të mërkurën, se performanca e Qeverisë për shëndetësinë duhet të jetë më dinamike.

“Kryeministri duhet të veprojë, të jetë më ekzekutiv dhe të delegojë përgjegjësi prej personave që vetë i ke emëruar. Performanca e ministrit Latifi nuk është e mirë deri më tani, më shumë e kemi parë jashtë vendit sesa këtu. 24 orë janë pak të punosh për institucionet shëndetësore. Angazhimi maksimal nuk është parë, nuk mund të flasim për menaxhim të drejtpërdrejtë, por edhe online, por s’mund të themi që jemi për online. Shëndetësia duhet t’i kalojë problemet akute, e pastaj të merremi për robotizim”, deklaroi Dreshaj.

Sipas deputetit të AAK-së, deklarimet e ministrit Latifi “se duhet pasur durim 5-10 vjet për t’i parë rezultatet”, janë strategjike, derisa shtoi se shpreson që të bëhet realitet.

“Ministri duhet të jetë shumë i përkushtuar që pas pesë vjetësh të kemi një shëndetësi që ta marrim për lakmi. Uroj që shëndetësia të organizohet, që të funksionojë si duhet. Kemi probleme të komunikojë departamenti me departament”, tha ai.

Dreshaj theksoi se lëvizja e stafit shëndetësor ndodh gjithkund në botë. Ai tha se largimet po ndodhin për shkak të pagave të ulëta.

“Është e vërtetë që stafi punon me rroga që i ka prej 2014-s, përkundër faktit të krizës. Mendoj se në shëndetësi duhet të mendohet për ligjin e pagave, të stimulohet punëtori, që të mos shkojë jashtë vendit. Ligji i Pagave do të jetë harmonizim sepse ka rritje pagash në sektorin publik, sado pak do ta stabilizojë situatën në treg. Do të na mundësojë të kemi numër të mjaftueshëm shëndetësor për menaxhim të krizës”, deklaroi ai.

Sipas deputetit Dreshaj, skandali me Fondin për Trajtim Shëndetësor Jashtë Vendit, për të cilin pati raportuar ekskluzivisht KOHA, duhet të përcillet me një hulumtim më të zgjeruar nga autoritetet.

“Fondi për Trajtim është ndër pikat më të forta që ka pasur MSH-ja. Kemi pasur raporte të mira me shtetet dhe shumë pacientë kanë përfituar. Kemi pasur marrëveshje për trajtime edhe falas me disa shtete. Kohëve të fundit ka fjalë për keqpërdorime të Fondit, ka vend që të bëhet një hulumtim i mirë dhe të kërkohen përgjegjësit. Kemi pasur një debat për shëndetësi që nuk ka qenë shumë debat i mirë për Fondin. Kurti me këtë komision që ka themeluar, ka vend të hetojë nëse është punuar si duhet apo jo. Është koha e fundit që të etiketojmë njerëz pa bazë”, tha Dreshaj.

23:03

Dreshaj: Shëndetësia asnjëherë s’ka qenë prioritet

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj, ka thënë se shëndetësia në Kosovë nuk ka qenë prioritet në asnjë prej qeverive që i ka pasur vendi.

Dreshaj ka thënë të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së, se zakonisht shëndetësia është menaxhuar nga njerëz që nuk e njohin profesionin ose që kanë përvoja të kufizuara në menaxhim.

“Shëndetësia nuk ka qenë asnjëherë prioritet, menaxhohet nga njerëz që pjesërisht e njohin zanatin ose që përvoja në menaxhim është e kufizuar. Kemi qëllim që ta shohim shëndetësinë si duhet dhe sot në komision i dëgjuam ankesat, kërkesat e ambiciet e stafit menaxherial”, ka thënë Dreshaj.

Ai ka folur edhe për listën esenciale të barnave duke thënë se ajo duhet të plotësohet 100 për qind dhe jo 90 për qind apo 75 për qind.

Dreshaj ka thënë se shëndetësia menaxhohet mirë vetëm kur bëhet prioritet monetar dhe organizativ.