Arbëri

Palokaj: Si afat i mundshëm i liberalizimit të vizave po përmendet fillimi i vitit të ardhshëm

Korrespondenti i Grupit KOHA në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se si afat jozyrtar për liberalizimin e Kosovës po përmendet fillimi i vitit të ardhshëm.

Palokaj në emisionin “60 Minuta” në KTV ka thënë se diskutimi i çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën në Këshillin Evropian, është hapi i fundit i këtij procesi. Ai ka thënë se pasi kjo çështje ka marrë dritën e gjelbër në Komisionin Evropian dhe në Parlamentin Evropian, ka mbetur edhe në Këshill të marrë aprovimin.

“Sipas planit të Presidencës çeke të BE-së, Këshilli nis procedurën më 13 tetor. Do të jetë diskutim në grupin punues për vizat, ku do të marrin pjesë përfaqësuesit e 27 shteteve anëtare. Çekia synon që në atë takim të ketë mbështetje nga të gjitha shtetet anëtare e të vazhdohet procesi”, ka thënë Palokaj.

Ai ka thënë se ka disa hapa në këtë procedurë, porse nëse ekziston vullneti atëherë do të mund të finalizohen deri në fund të vitit.

“Si dëgjojmë nga pothuajse gjitha burimet në Bruksel, ky vullnet ekziston”, ka thënë Palokaj.

Ai ka thënë se ka shqetësime nga disa Ministri të Brendshme të shteteve anëtare, për rrezikun e një migrimi në rast të liberalizimit të vizave për Kosovën. Porse, Komisioni Evropian ka thënë se nuk ekziston rrezik i tillë.

“Fundi i fundit Kosova, duhet të vazhdojë atë fushatë të informimit, për t’i informuar qytetarët se bëhet fjalë për heqje të vizave për të vizituar vendet e BE-së e jo për të shkuar punuar në BE”, ka thënë Palokaj.

Sa i përket kohës se kur mund të liberalizohen vizat, Palokaj ka thënë se kjo varet.

“Nëse ka vullnet e vendimi miratohet deri në fund të vitit, atëherë vendimi duhet publikuar në fletën zyrtare. E atëherë caktohet data prej kur mund të hyjë në fuqi. Si afat kohor jozyrtar përmendet fillimi i vitit që vjen”, ka thënë Palokaj, që ka shtuar se mund të ketë shtyrje të këtij afati varësisht nga vullneti i shteteve anëtare.