Arbëri

Tahiri: Qeveria po e trajton grevën me indiferencë

Besnik Tahiri - AAK

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri i ka bërë thirrje qeverisë që të ndalë talljet me qytetarë, t'i plotësojë kushtet grevistëve në arsim dhe të nisë mësimi sa më parë.

Ai në një postim në Facebook ka thënë se qytetarët e Kosovës nuk kanë marrë goditje më të fortë se kjo që lidhet me procesin mësimor.

"Për më shumë se një vit e gjysmë qeverisje, qytetarët e Kosovës nuk kanë marrë goditje më të rëndë se kjo që lidhet me bllokimin e procesit mësimor, tash e një muaj. Nuk ka papërgjegjësi më të madhe se sa një temë që lidhet me një popullatë, e të trajtohet me këtë indiferencë", ka shkruar Tahiri.

Ai ka shtuar se dialogu social me sindikatat nga ana e qeverisë u konceptua si farsë dhe tallje, gjë e cila duhet të merr fund.

"Takimet dhe dialogu me grevistët nisën vetëm atëherë kur u thellua problemi. Ndërsa, zgjidhja është reduktuar në një masë monetare. Në fakt dialogu u konceptua si farsë, dhe tallje. Kjo duhet të marrë fund. Sot, jo më larg se sot, Qeveria duhet t'ua plotësojë kushtet e grevistëve, të nisë mësimi dhe të mos bëhet shaka me një popull", ka përfunduar Tahiri.