Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se vendi ka nevojë për partinë që ai e udhëheq, duke u bërë thirrje njerëzve që t’u bashkohen, siç thotë ai, në këtë rrugëtim të madh politik. Ai nga Gjilani kritikoi qasjen që ka Qeveria karshi zgjidhjes së krizave.
LDK-ja mbajti Konventën Programore të shtunën në Gjilan. Partia opozitare ka njoftuar se Konventa të tilla do të mbajë në të gjithë qytetet e Kosovës.
“LDK-ja ka një plan dhe ekip që po ndërtojnë programin në bashkëbisedim me qytetarët, ku do t’i japim përgjigje dhe vizione të qarta e të guximshme problemeve të vendit tonë. Të gjithë rugovistët, të gjithë besimtarët e djathtë dhe patriotët e Republikës së Kosovës të bashkëngjiten në rrugëtimin e madh, ku Kosova ka nevojë për Lidhjen Demokratike të Kosovës, e ne kemi nevojë për njerëzit më të mirë të vendit”, ka thënë Abdixhiku.
Abdixhiku theksoi se qytetarët tashmë po e shohin qartë energjinë e ri dhe ndryshimin e shumëkërkuar në LDK.
“Shumë njerëz të rinj, profesionistë të rinj, burra e gra më të mirë të vendit po i bashkohen lidhjes sonë politike, ndërkaq, përkundër progresit të jashtëzakonshëm në këtë kohë të shkurtë, duhet të përmirësohemi e rritemi edhe më tutje”, ka thënë tutje ai.
Kreu i LDK-së nuk e la pa kritikuar Qeverinë, duke thënë se ata po merren me konspiracione të ndryshme e fajësime për 20 vjet, e që sipas tij, nuk japin zgjidhje për të dalë nga kriza.
“Sa i përket sfidave që po përballen qytetarët, jemi në krizë dhe kapërcimet politike i bëjmë nga kriza në krizë. Kosova nuk ka Qeveri, ngase në vend të gjetjes së zgjidhjeve për çdo problem, nga greva tek energjia, inflacioni, ikja e shëndetësia, dëgjojmë narracione të 14 shkurtit, fajësimeve për 20 vjet, e konspiracione të ndryshme”, shtoi Abdixhiku.
I pranishëm ishte kryetari i degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, i cili u shpreh besimplotë që LDK-ja do ta bëjë rikthimin e madh në krye me Abdixhikun.