Arbëri

MSH-ja paralajmëron masa ndaj personave përgjegjës për rastin gjyqësor që i kushtoi 630 mijë euro

Descriptive Text

Ministria e Shëndetësisë (MSH) ka bërë të ditur të shtunën se do të marrë masa ndaj personave përgjegjës brenda ministrisë lidhur me humbjen e rastit gjyqësor ndaj një kompanie farmaceutike, për një tender të vitit 2011.

Vendimi ka ardhur pas raportimit të KOHËS në dy ditët e fundit lidhur me rastin që i kushtoi ministrisë 630 mijë euro.

“Lidhur me këtë rast, Ministria e Shëndetësisë brenda kompetencave ligjore, do të ndërmerr të gjitha masat e nevojshme disiplinore ndaj personave përgjegjës brenda Ministrisë së Shëndetësisë dhe njëkohësisht, rastin e tillë, do ta denoncojë në organet e ndjekjes dhe hetuesisë”, thuhet në një komunikatë për media të MSH-së.

Ministria ka bërë të ditur po ashtu se ka bërë ankesë ndaj aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë, ndërkaq nuk e ka komentuar dosjen e zhdukur në lidhje me rastin.

“Përmes kësaj komunikate, Ministria e Shëndetësisë si palë e dëmtuar e njofton opinionin se ka bërë ankesë ndaj Aktgjykimit të Gjykatës së shkallës së parë dhe bashkë me Avokaturën Shtetërore, do të vazhdojnë ta mbrojnë interesin juridik në çështjen në fjalë, duke ndërmarrë të gjitha veprimet në procedurat e mëtejme gjyqësore”, thuhet në njoftim.

KOHA ka raportuar këto ditë se rreth 630 mijë euro i ka kushtuar Ministrisë së Shëndetësisë humbja e rastit në gjykatën e shkallës së parë kundër një kompanie farmaceutike, për një tender të vitit 2011.

Përveç kësaj shume të parave, ky institucion e ka humbur edhe gjithë dosjen e lëndës

Askush nga institucionet që do të duhej ta mbronte MSH-në nuk ka shkuar në këtë seancë, duke shtyrë gjyqtarin të marrë për bazë vetëm argumentet e kompanisë farmaceutike.

Ministria e Drejtësisë ka paralajmëruar masa për mospjesëmarrje në seancën kryesore të përfaqësueses së Avokaturës Shtetërore.