Arbëri

Haradinaj e quan “të sëmurë” qeverisjen aktuale

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur “të sëmurë” qeverisjen aktuale në vend.

Në një bashkëbisedim me qytetarë të Gjilanit, Haradinaj ka thënë se Qeveria Kurti nuk po angazhohet për zbutje të varfërisë e krizave ekonomike dhe energjetike. Haradinaj ka komentuar edhe krizën aktuale me grevat.

“Me qytetarët e Gjilanit bashkëbiseduam edhe për qeverisjen e sëmurë në vend, mosangazhimin e saj për zbutjen e varfërisë dhe krizave ekonomike dhe energjetike. Gjilanasit më treguan edhe për problemet e tyre lokale, shqetësimin e thellë për ndërprerjen e projekteve kapitale të nisura që para vitit 2019. Duke folur për krizën në arsim, vlerësova se Ligji i Pagave, ishte i dyti sipas rëndësisë, pas ligjeve të Ushtrisë, gjatë kohës kur isha kryetar qeverie. Qeveria sa më parë, të plotësojë kërkesat minimale të sindikatave dhe sa më parë të sjellë për miratim Ligjin e Pagave”, ka shkruar ai në Facebook.

Po ashtu, ish-kryeministri Haradinaj ka thënë se “roli udhëheqës i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, garancia e tyre për marrëveshjen gjithëpërfshirëse me njohje reciproke, janë shumë të rëndësishme për vendin tonë”.