Është rritur koha e pritjes për të kryer një rezonancë në QKUK. Një pacienteje që iu desh ky shërbim, iu caktua termini për muajin gusht të vitit 2023. Në Klinikën e Radiologjisë thanë se njëra nga dy aparatet që i kanë, është jashtë funksioni prej muajsh. Por, theksuan se për rastet urgjente shërbimi ofrohet menjëherë. E në SHSKUK dhe Ministri të Shëndetësisë nuk treguan se çfarë po bëjnë për ta ndërruar situatën.
Anton Gashi nga Komuna e Klinës erdhi gjatë javës në Prishtinë për ta shoqëruar bashkëshorten për kontroll mjekësor, pas një intervenimi që kishte pas thyerjes së krahut.
Mjeku kërkoi të kryenin një rezonancë magnetike, për çka Gashi sipas udhëzimit, iu drejtua Klinikës së Radiologjisë. Por, për ta kryer këtë shërbim i duhet të presë gati një vit.
“Erdha veç terminin me ba sot. Do të thotë ma kanë dhënë më datën 21 të muajit të tetë 2023. Do me thënë në gushtin që vjen... na nuk mundemi me u shëru. Kjo edhe një vit ndoshta vdes”, ka thënë Gashi.
Edhe pacientë të tjerë që bënin terminë në Radiologji kanë shprehur ankesa të ngjashme.
Në muajin prill kur KOHA kishte raportuar për të njëjtin problem të pacientëve, ata prisnin për shërbime imazherike deri në shkurt të vitit të ardhshëm. Porse tash, gjendja është rënduar edhe më shumë.
Drejtoresha e Klinikës së Radiologjisë, Shkëndije Nuza, thotë se kanë dy pajisje të rezonancës magnetike, por punon vetëm njëra, meqë tjetra ka pësuar defekt nga të reshurat që vërshuan katin e poshtëm të Onkologjisë ku ajo ndodhej.
Ajo ka thënë se koha e pritjes mund të shkurtohet, pas pastrimit të listës.
“Kohëve të fundit jemi duke bërë pastrimin e listave, do të thotë thirret në telefon çdo pacient që ka bërë termin, nëse do të vijë apo nuk do të vijë për ekzaminim në Klinikën e Radiologjisë. Dhe të gjitha ato vende që lirohen, zëvendësohen me pacientët në muajt në vazhdim”, ka thënë Nuza.
Drejtoresha Nuza është ankuar në mjekë, për të cilët thotë se kërkojnë imazhe të rezonancës edhe pa pasur nevojë. Por, thekson se rastet urgjente nuk presin.
“Kërkesat, ka metoda të shumta imazherike për ekzaminim. Kërkesa të shumta vijnë prej niveleve të ndryshme. Unë mendoj që filtri i ekzaminimit duhet të vijë në përgjithësi prej specialistëve sepse nëse ekziston mundësia të bëhet një ultrazë, një CT, pse? Sidomos për raste urgjente. Edhe një CT zgjidh shumë punë”, ka thënë ajo.
Shërbimi i rezonancës magnetike nuk ofrohet në asnjë spital rajonal dhe pacientët nga të gjitha vendet e Kosovës drejtohen në QKUK për të kryer këtë shërbim.
Pesë muaj më parë, ish-drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, pati thënë se deri në fund të vitit synojnë që të pajisen me rezonancë spitalin pediatrik, atë të Pejës dhe Prizrenit. Tani, në SHSKUK dhe as në Ministrinë e Shëndetësisë nuk treguan se në cilën fazë është blerja e këtyre aparaturave.