Kampi Bondsteel në Ferizaj është lidhur me sistemin e rrjetit elektrik të Kosovës të premten, bëhet e ditur nga një komunikatë e Qeverisë dhe e ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Qeveria e Kosovës ka njoftuar se të premten në Bondsteel është organizuar ceremonia e përurimit të projektit të furnizimit me energji në këtë kamp, në kuadër të projektit “modernizimi i sistemit elektroenergjetik të Kampit Bondsteel.
Sipas komunikatës, me këtë projekt synohet zvogëlimi i emetimit të karbonit, të përmirësohen aftësitë e përgjithshme të sistemit elektrik dhe të kursehet kostoja vjetore e energjisë. Kryeministri Albin Kurti e ka përgëzuar ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, për projektin “që pritet të zvogëlojë emetimin e karbonit për 4,500 tonë në vit”.
Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes, Mehaj ka thënë se kjo ngjarje “do të ndihmojë në përgatitjen e Kampit Bondsteel për të ardhmen duke reduktuar në masë të madhe përdorimin e gjeneratorëve ndotës me naftë”.
Në ceremoni, pos Kurtit dhe Mehajt, pjesëmarrës ishin edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ai i Mjedisit, Liburn Aliu.
“Prania e fuqishme e Qeverisë është dëshmi e përkushtimit të thellë të Kosovës ndaj partnerëve tanë të NATO-s dhe ndaj aleatit tonë kryesor, Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftimin e Mehajt.