4 perditesime
12:57

S’ka kuorum, shtyhet për javën tjetër seanca e Kuvendit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka shtyrë për javën e ardhshme seancën e Kuvendit të premten.

Arsye për shtyrje ishte mungesa e kuorumit, e cila u vërejt gjatë hedhjes në votim të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.

12:47

Lekaj – Vetëvendosjes: Kur po thotë baba po, krejt ju po thuani po

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj ka kërkuar nga deputetët e shumicës që ta votojnë ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale i cili po shqyrtohet në lexim të parë në seancën e së enjtes të Kuvendit të Kosovës.

Lekaj ka kritikuar deputetët e Vetëvendosjes se po veprojnë ashtu siç po bën i pari i tyre, kryeministri Albin Kurti.

“Të bëjmë ndryshimin e këtij neni dhe kurdo që vijnë reformat në këtë kuvend për skemat pensionale ne do të veprojmë drejtë. Ju veproni politikisht, ku është humaniteti juaj, sa jeni social në këtë drejtim. Ju lutem mos mendoni vetëm në atë subjektin politik që vetëm që ka ardhur nga një grup tjetër ju tani i thoni jo. Por hajdeni t’i pyesim krejt deputetët këtu. Mund t’i thoni po kësaj nisme por kur po thotë baba jo, krejt ju po thoni jo, pse more ashtu, moni more se jeta është më e gjatë sesa një kryeministër”, është shprehur Lekaj.

11:59

Opozita kërkon ndryshimin e ligjit për pensione, shumica nuk e përkrah

Kuvendi i Kosovës është duke bërë shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, ka kërkuar largimin e nenit diskriminues që parasheh që secili kandidat që shkon në pension duhet t’i ketë 15 vite përvojë para vitit 1999 për ta gëzuar pensionin kontributdhënës.

“Jemi këtu për të korrigjuar një padrejtësi. Kjo iniciativë është marrë nga AAK bazuar në shqetësimet e qytetarëve. Skemat sociale janë të rregulluara në forma të ndryshme në Kosovë, me ligje të ndryshme. Kërkojmë largimin e nenit diskriminues që parasheh që secili kandidat që shkon në pension duhet ti ketë 15 vite. Kemi rastin kur për një javë pa e përmbushur atë normë të vjetëve janë pensionuar dhe nuk kanë pasur të drejtë ta gëzojnë pensionin kontributdhënës. Kjo nismë ligjore do t’i ndihmojë këta persona në këtë kohë të krizës ekonomike”, ka thënë Dreshaj.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku ka thënë se komisioni përkatës i ka rekomanduar Kuvendit që të mos e përkrahë këtë nismë ligjore.

“Kjo zgjidhje duhet të bëhet në kuadër të reformës pensionale dhe skemave sociale dhe duhet të zgjidhet nga Qeveria aktuale që është duke e bërë reformën pensionale. Kjo Qeveri e ka ndërmend ta zgjidhë këtë çështje. Pse kjo iniciativë nuk është marrë më herët në Qeveritë e kaluara kjo iniciativë është e pasinqertë. Arsyeja pse nuk e përkrahim është forma se si është paraqitë”, ka thënë Kollçaku.

Ndërkaq, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë se nuk e sheh të logjikshme që të mos mbështetet kjo nismë ligjore me arsyetimin se më vonë do të bëhet reformë.

“Konsideroj që propozimi i AAK-së është me vend i cili përfundimisht eliminon një pabarazi dhe diskiminim që ka ndodhë vjetëve të fundit. Zhargoni 20-vjeçar duhet të hiqet nga diskursi sepse duhet të shihet kur ka hyrë në fuqi ky ligj sepse ky ligj është votuar në Kuvend më 2014. Nuk mendoj që ka logjikë që të mos e mbështesni këtë nismë ligjore me arsyetimin se më vonë do të bëhet një reformë”, është shprehur Haxhiu.

Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se nenet e ligjit janë të diskriminuese dhe ofenduese.

“Sepse, të punësuarit e viteve 90-ta që janë larguar dhunshëm nga puna nuk mund ta gëzojnë një të drejtë që po u mohohet në mënyrë jodemokratike. Është jodemokratike të mbrojmë me vetëdije dispozita jodiskriminuese. Nëse po e presim një reformë që aty të rregullohet kjo, me kapacitetet qe i ka Qeveria aktuale do të shkojnë deri në 5 vjet deri të përfundojë ajo. Propozoj që të kalohet në lexim të parë, të largohet kjo dispozitë dhe të bashkëpunojmë me Qeverinë që njëherë e mirë ta largojmë këtë temë nga Kuvendi”, ka thënë Zemaj.

10:39

Deputetët s’e votojnë rezolutën e PDK-së për grevën

Kuvendi nuk e ka miratuar të premten rezolutën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), për grevën.

Rezoluta e prezantuar të enjten nga kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, është hedhur në votim tek të premten, mirëpo me 39 vota kundër, 22 për dhe 6 abstenime, ajo nuk ka kaluar.

Rezoluta kërkonte që të zhvillohen negociatat e nevojshme me Këshillin e Grevistëve të BSPK-së apo personat të autorizuar, deri në zgjedhjen përfundimtare që siguron ndërprerjen e grevës.

“Kërkojmë nga Qeveria që në një afat prej 5 ditëve nga miratimi i kësaj rezolute, të përfshijë përfaqësues të autorizuar të BSPK-së, në grupin punues për hartimin e projektligjit të pagave, para miratimit të tij në Qeveri dhe të marrë në konsideratë propozimet e tyre. Kërkojmë nga Qeveria të propozojë masat për adresimin e kërkesave të tjera të sindikatave”, tha Tahiri në seancën e të enjtes.

Nuk ka kaluar as projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive.

Vetëm 49 deputetë kanë votuar. Opozita nuk mori pjesë në votim.

09:02

Vazhdon sot seanca e Kuvendit, pritet votimi i rezolutës për grevën

Deputetët e Kuvendit të Kosovës vazhdojnë sot seancën plenare në të cilat janë paraparë të shqyrtohen pikat e papërfunduara nga seancat plenare.

Sipas njoftimit të Kuvendit, në këtë seancë do të shqyrtohen 15 pika të rendit të ditës.

Rendi i ditës:

I. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare më 15 shtator 2022:

8.Votimi i rezolutës nga debati parlamentar për Grevën e përgjithshme të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK),

9.Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-123 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive,

10. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-147 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti,

11. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2021,

12. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2021,

13. Shqyrtimi i Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2020,

14. Shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.05/L-003 për Mbikëqyrjen Elektronike të Personave të Cilëve u Kufizohet Lëvizja me Vendim të Gjykatës,

15. Shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.06/L-010 për Noterinë,

16. Shqyrtimi i Rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës për vitin 2021.

II. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare më 4 gusht 2022:28. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës,

35. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-149 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-010 për noterinë,

36. Shqyrtimi i Strategjisë së Sigurisë së Kosovës 2022-2027,

37. Zgjedhja e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga komuniteti shqiptar,

38. Shqyrtimi i rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2021 dhe Raportit të Auditimit të performancës “Menaxhimi i fondeve publike në Radiotelevizionin e Kosovës”,

39. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave.