Dugolli: Me Serbinë e kemi prioritet reciprocitetin

- 21:15Dugolli: Me Serbinë e kemi prioritet reciprocitetin
- 21:06Quni- Ndërhyrja e KFOR-it e rrezikshme, do ta ndante vendin
- 20:52Dugolli: Policia e Kosovës, e gatshme për aksione në veri
- 20:40Qalaj: Në veri po shpërndahen armë, asnjë veprim nga autoritetet e Kosovës
- 20:38Quni: Formacionet kriminale në veri kanë për detyrë minimin e dialogut
- 20:33Dugolli: Serbia po luan me kartat e shantazhit, Kosova në rrugë të mirë
- 20:26Qalaj: Situata e sigurisë është shqetësuese
- 20:21Quni: Ka supozime që në veri ka sasi të konsiderueshme të armëve
Dugolli: Me Serbinë e kemi prioritet reciprocitetin
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka prioritet me Serbinë reciprocitetin.
Dugolli ka thënë në “Desku” të KTV-së të enjten se ky prioritet po zbatohet.
“Ideja ka qenë që me e Serbinë ne e kemi prioritet vënien e masave reciproke dhe kjo po shkon duke u zbatuar. Problemet brenda atij territori ekzistojnë dhe janë reale. Prioritet është ajo duke e shtri sa më shumë zbatimin e ligjit”, ka thënë Dugolli.
Quni- Ndërhyrja e KFOR-it e rrezikshme, do ta ndante vendin
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka deklaruar se nëse Policia e Kosovës ndodhet në një situatë ballafaqimi me qytetarët serbë në veri, mund të çojë deri në ndërhyrjen e KFOR-it.
Në debatin e zhvilluat të enjten në Desku të KTV-së, Quni ka thënë se ndërhyrja e KFOR-it do të ishte e rrezikshme sepse do ta ndante vendin.
Sipas tij, për këtë arsye nuk ja vlen që policia dhe njësitë speciale të saj të viheshin në veri për operacione të pasigurta.
“A ja vlen nëse policia vjen në ballafaqim dhe shkëmbim zjarri të drejtpërdrejtë me qytetarë serbë që nuk bartin uniforma, por janë efektivë njëjtë si një formacion ushtarak, për të ardhur deri te përshkallëzimi i situatës dhe dalja jashtë kontrollit. KFOR-i në situata të tilla mund të vendoset në vijën e ndarjes në mes të tensioneve etnike, duhet të vendoset në kufirin etnik mes shqiptarëve dhe serbëve”, ka thënë ai.
Dugolli: Policia e Kosovës, e gatshme për aksione në veri
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, tha se Policia e Kosovës është e gatshme për aksione operacionale në veri. Ai deklaroi në DESK-un e KTV-së të enjten se situata në veri nuk është tërësisht e qetë dhe nën kontroll, por siç u shpreh ai, institucionet po e vëzhgojnë situatën.
“Kosova ka kapacitete. Policia është mjaft profesionale e nuk i mungon guximi për përballje të tilla. Policia është e aftë dhe e gatshme për të ndërmarrë veprime të tilla. Lufta kundër krimit dhe bandave kërkon një sërë masash nga shumë institucione”, deklaroi Dugolli.
Sipas deputetit të VV-së, qytetarët e Kosovës duhet të kenë kujdes nga lajmet e rreme, që siç u shpreh ai, po përhapen nga Rusia dhe Serbia.
“Duhet të jemi të kujdesshëm e të mos e ushqejmë nxitjen me asnjë lajm sepse Serbia është në ofensivë për luajtjen e rolit të viktimës”, u shpreh ai.
Dugolli theksoi se vendimet e Qeverisë po zbatohen me vështirësi në veri.
Qalaj: Në veri po shpërndahen armë, asnjë veprim nga autoritetet e Kosovës
Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, ka thënë të enjten në “Desku” të KTV-së se si mund të flitet për shtrirjen e sovranitetit në veri kur atje shpërndahen armë dhe autoritetet vendore nuk ndërmarrin asnjë veprim.
Qalaj ka thënë se deri tani për këto veprime nuk është intervistuar dhe arrestuar asnjë njeri.
“Kosova duhet ta ketë qëndrimin e saj dhe duhet ta zbatojë ligjin në çdo pjesë të saj. Nëse deri më tash nuk është intervistuar dhe arrestuar asnjë njeri i vetëm, nuk kemi asnjë operacion për shpërndaje të armëve, për çfarë shtrirje të sovranitetit flasim për veri”, ka thënë ai.
Sipas Qalajt, veprimet e fundit në veri janë udhëzime të strukturave të sigurisë nga Beogradi në mënyrë që në këtë pjesë të Kosovës të krijojnë atmosferë të frikës.
Quni: Formacionet kriminale në veri kanë për detyrë minimin e dialogut
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Antoni Quni, njëherësh ish-ministër i Mbrojtjes, ka deklaruar se formacionet kriminale në veri të vendit e kanë për detyrë minimin e dialogut dhe të proceseve për arritjen e paqes.
I ftuar të enjten në Desku të KTV-së, Quni ka thënë se kjo shkakton sfidë për institucionet e Kosovës.
“Formacionet kriminale paramilitare që në fakt kanë për detyrë minimin e dialogut, minimin e ndërtimit të proceseve për arritjen e paqes e vështirësojnë situatën, janë sfidë për qeverinë e Kosovës, e posaçërisht për institucionet e sigurisë”, ka thënë ai.
Sipas Qunit, me arritjen e marrëveshjes finale midis Kosovës dhe Serbisë, këto organizata vetvetiu do ta humbin kuptimin e ekzistencës së tyre.
Ai më tej ka shtuar se është i rëndësishëm bashkëpunimi i institucioneve me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që institucionet e Kosovës me veprimet e tyre të mund të ushtrojnë ndikimin në çdo pjesë të territorit.
“Po krijojmë përvoja dhe eksperiencë në çdo aktivitet të forcave të policisë për të shtrirë ndikimin dhe përqendrimin e rendit dhe ligjit në tërë territorin, autoritetet e KFOR-it e kanë dhënë mbështetjen”, ka thënë Quni.
Dugolli: Serbia po luan me kartat e shantazhit, Kosova në rrugë të mirë
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, deklaroi se Serbia nuk po ecën drejt rrugës së paqes me Kosovën, por po luan me kartat e shantazhit.
Ai deklaroi në DESK-un e KTV-së të enjten se mosdistancimi nga Rusia, i ka shërbyer presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të shantazhojë. Ndërsa, sipas tij, Kosova po luan rol pozitiv në dialog.
“Kosova po bën punën më të mirë të mundshme karshi dialogut dhe luftimit të krimit, sepse një kohë të gjatë padrejtësisht Kosova është sulmuar si palë bllokuese. Realiteti ka qenë krejt ndryshe, Serbia ka synuar të zhvillojë një dialog nënshtrues, duke fituar poenë në procesin e saj në integrimin e BE-së”, tha ai.
Sipas Dugollit, presidentit serb i ka dalë fytyra e vërtetë e siç tha ai, presioni në dialog tani duhet të orientohet kah Vuçiqi.
“Serbia po tenton ta shfrytëzojë mospërcaktimin e qartë, kjo besoj do të ketë një fund. Ne po presim ta shohim shpejt, sepse nëse vërtetë ata nuk duan paqe, stabilitet, e progres në rrugën e dialogut dhe të një marrëveshje me njohje në qendër, të paktën mos ta mbajmë barrën e një partneri apo shteti që padrejtësisht është quajtur si bllokues”.
Qalaj: Situata e sigurisë është shqetësuese
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë se situata e sigurisë është shqetësuese, derisa ka bërë thirrje që Kosova të jetë syqelë dhe e përgatitur që të mos lejohen befasi në veri.
Qelaj ka thënë të enjten në “Desku” të KTV-së se videoja ku shihen njerëz duke shpërndarë armë në veri në mes të ditës është shqetësuese.
“Është duke u bërë një presion i madh kundrejt qytetarëve të komunitetit serb që ata të mos veprojnë sipas ligjeve të Kosovës. Ministri i Brendshëm, Sveçla ka dashur që ta demantojë Vuçiqin duke i treguar opinionit se ka pasur persona duke shpërndarë armë në veri. Kur dikush shpërndan armë. Situata është mjaft shqetësuese, duhet të jemi syqelë dhe të përgatitur dhe të mos lejojmë befasi në veri dhe të ngulim këmbë që të zbatohen ligjet e Kosovës atje”, ka thënë Qalaj.
Sipas tij, deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq së fundmi për luftë, tregojnë se ai e ka ashpërsuar retorikën e tij për shkak dinamikës së procesit të dialogut.
“Kjo retorikë më shumë i shërben për politikën e brendshme të tij duke e ditur se tashmë e kanë ndryshuar qasjen edhe negociatorët e vendeve të fuqishëm evropiane sa i përket dialogut. Këto vizitat e të dërguarve francezë e gjermanë i kanë dhënë një dinamikë çështjes së bisedimeve në Bruksel. Këtë presion e ka Vuçiqi dhe është duke manifestuar një lloj pafuqie pasi e di epilogun që edh Serbia s’ka qare pa e njohur shtetin e Kosovës”, është shprehur Qalaj.
Quni: Ka supozime që në veri ka sasi të konsiderueshme të armëve
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, deklaroi se ka supozime që në veri të Kosovës ka sasi të konsiderueshme të armëve, të lëna nga ushtria serbe në vitin 1999.
Ai deklaroi në DESK-un e KTV-së të enjten se me tërheqja e Serbisë nga Kosova nuk ishte e plotë, pasi siç deklaroi ai, Serbia la struktura ilegale nën komandën e Beogradit.
“Është në pyetje një teknologji ushtarake që iu është dhënë trupave paramilitare dhe gati secilit qytetar. Në këto dy dekada s’ka pasur operacion serioz nga institucionet e Kosovës për çarmatosjen e asaj pjese. Janë supozimet se aty është nëj sasi e konsiderueshme e mjeteve ushtarake që mendohet se do të vihen në shërbim për të krijuar parakushte për politikat serbe, kur të arrihet një finale mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Quni.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Gjermania: Serbia t’i tërheqë trupat nga kufiri me Kosovën pa vonesa

Komandantja supreme takon ministrin e Mbrojtjes dhe komandantin e FSK-së

Suspendohet drejtori i RTK2

Osmani: Vuçiqi po përpiqet ta zhbëjë paqen, por nuk do ta lejojmë

Serbia nis tërheqjen e trupave ushtarake nga kufiri me Kosovën

Radoiçiq pranon ftesën e autoriteteve të Serbisë, u deklarua në cilësinë e qytetarit

Jamie Shea për grupin e armatosur: Ata nuk janë martirë, ishin aty për të shkaktuar trazira

Hovenier: Një apo disa struktura qëndrojnë pas sulmit në veri

U dorëzohen familjarëve trupat e tre të vrarëve në Banjskë

Drejtori i Kardiologjisë: Tendencat për njollosje me të pavërteta do të mbesin tentativë e mjerë

Shpërblimi vjetor për gazetari dhe letërsi “REXHAI SURROI” 2023
