Arbëri

Ministria e Shëndetësisë i humb mbi 600 mijë euro në betejën me një kompani farmaceutike

Të paktën 630 mijë euro rrezikon t’i humbë Ministria e Shëndetësisë shkaku i një tenderi për barna të vitit 2011.

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka njohur një kompanie farmaceutike kërkesat kundër këtij institucioni. Vendimi është marrë 11 vjet, pasi Ministria e Shëndetësisë e kishte eliminuar këtë kompani nga tenderi për furnizim barnash të caktuara.

Sekretar i Ministrisë asokohe ishte Ilir Tolaj.

Në aktgjykimin e siguruar nga KOHA, të nxjerrë më 29 gusht, thuhet se Ministria e Shëndetësisë i obligohet kësaj kompanie 423 mijë euro në emër të fitimit të humbur.

Në borxhin final duhet të kalkulohet edhe kamata ndëshkuese vjetore prej 8 për qind.

Padia është bërë në nëntorin e 2016-s. Vetëm nga kamata ndëshkuese deri më tani janë grumbulluar mbi 200 mijë euro. Kjo nënkupton që borxhi i plotë është rreth 636 mijë euro.

“Obligohet Ministria e Shëndetësisë, si palë me interes juridik, që paditësit, në emër të kompensimit të dëmit për fitimin e humbur, t’ia paguajë shumën e përgjithshme prej 423,045 eurosh, me kamatë ligjore prej 8 për qind në vit, duke llogaritur nga data e paraqitjes së padisë, më 9.11.2016, e deri në pagesën definitive. Të gjitha këto në afat prej 15 ditësh, nën kërcënimin e përmbarimit ligjor”, thuhet në aktgjykim.

Në aktgjykim përshkruhet se tenderi është dhënë më 2011. Kur kompania ka paditur Ministrinë e Shëndetësisë, Gjykata ka urdhëruar Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik që të rivendosë për këtë tender në vitin 2016. Sërish ky institucion ka vendosur njëjtë. E pastaj, operatori ekonomik ka paditur OSHP-në e Ministrinë.

Gjykimi ka filluar vitin e kaluar.

Seanca e shqyrtimit kryesor është mbajtur në korrik të vitit 2022, por në të nuk janë paraqitur as përfaqësuesi ligjor i OSHP-së e as ai i Ministrisë së Shëndetësisë, që në këtë rast përfaqësohet nga Avokatura Shtetërore, thuhet në aktgjykim.

“Për seancën e shqyrtimit kryesor palët janë ftuar me rregull, mirëpo e paditura dhe pala me interes juridik ftesës nuk i janë përgjigjur dhe mungesën nuk e kanë arsyetuar. Andaj gjykata, konform neni 41 të Ligjit për Konfliktet Administrative, seancën e shqyrtimit kryesor e ka mbajtur në prani të palës paditëse dhe në mungesë të të paditurës dhe palës me interes juridik”, thuhet në aktgjykim.

Në aktgjykim thuhet se nga Ministria dhe nga OSHP-ja as që janë dorëzuar në gjykatë prova e shkresa për lëndën.

“Pala me interes juridik as në shqyrtimin e parë gjyqësor në këtë çështje juridike dhe as në këtë shqyrtim nuk ia ka dorëzuar gjykatës provat relevante siç janë: dosja e tenderit, oferta e operatorit ankues, si dhe oferta e operatorit ekonomik të rekomanduar, pavarësisht kërkesave të përsëritura të gjykatës”, thuhet tutje në aktgjykim.

Vendimi për lëndën nuk është i formës së prerë. Nuk dihet nëse Ministria e Shëndetësisë do ta ankimojë vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë në atë të Apelit.

Megjithëkëtë, Apeli në shumicën e rasteve vendos për shkelje procedurale gjatë gjykimit në shkallë të parë. Në këtë rast palët nuk janë prezantuar fare në seancë kryesore. Një lëndë në Apel më se paku merr tre vjet që të vendoset, që nënkupton që borxhi aktual prej 636 mijë eurosh do të rritet për 8 për qind për çdo vit që kalon, po qe se shkalla e dytë nuk e aprovon ankesën eventuale të Ministrisë së Shëndetësisë.