Arbëri

Pacolli nuk beson se kishte plane për atentat ndaj Kurtit: Është konspiracion

Foto: Driton Paçarada / Koha

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli, e ka cilësuar konspiracion lajmin për planifikimin e atentatit ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se nuk është menduar asnjëherë diçka e tillë.

Pacolli ka thënë të enjten, se personi i cili është akuzuar se do ta kryente atentatin, nuk është nga ata që janë të aftë për ta bërë një gjë të tillë.

“Unë sigurisht, me hidhërim e kam marrë këtë lajm, por mbrëmë është shëndoshur zemra ime, për arsye e kam parë intervistën e atij që është akuzuar për atentatin, kam parë fytyrën e tij, ai njeri nuk është njeri i atentateve. Personalisht nuk besoj se ai njeri do ketë planifikuar apo folur me dikë që do bëjë ndonjë atentat. Është një konsipracion. Viktimë e konspiracioneve të këtij lloji kam qenë edhe unë disa herë. Mendimi im, nuk ka pasur atentat, është një konspiracion”, ka thënë ai për “Euronews Albania”.

Dokumenti që tregon se është planifikuar atentati ndaj Albin Kurtit, është publikuar nga hakerët që kanë sulmuar sistemet digjitale në Shqipëri dhe Kosovë.

Personi për të cilin dyshohet se do kryente atentatin ndaj Kurtit, është Prek Kodra, i cili sipas të dhënave në raport, thuhej se ka aftësi të mira në përdorimin e snajperëve.

Atentati, sipas dokumentit, do të kryhej edhe ndaj Ismet Haxhës, ish-anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës dhe Xhavit Halitit, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës.