Arbëri

Foshnja s’mbijetoi, infermierja në QKUK njofton gabimisht familjen se është gjallë

Një infermiere në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka ngatërruar familjet të cilat po prisnin foshnje të mërkurën në mbrëmje, duke e njoftuar familjen e gabuar se fëmija është shëndosh e mirë, edhe pse s’i kishte mbijetuar lindjes, ka njoftuar Shërbimi Spitalor Klinik Universitar të enjten.

SHSKUK-ja ka thënë se nuk bëhet fjalë për “ndërrim foshnjash” siç u raportua, por për dhënie të paautorizuar të informatave dhe ngatërrim të informatës.

“Në lidhje me foshnjën e vdekur, gjatë kohës së kryerjes së lindjes, pacientja që po kryente lindjen është njoftuar nga gjinekologët për komplikimet shëndetësore dhe se foshnje saj nuk do të mbijetonte. Deri të ngatërrimi i infermieres ka ardhur pasi në të njëjtën kohë ka pasur edhe një lindje tjetër dhe infermierja e Klinikës së Neonatologjisë ka dhënë informatë jo të autorizuar duke ngatërruar rastet, keqinfromuar prindërit”, thuhet në njoftim.

Sipas SHSKUK-së, nga menaxhmenti i Neonatologjisë është kërkuar deklaratë me shkrim nga i gjithë stafi kujdestar dhe rasti do të procedohet më tutje.

Në njoftim përsëritet se për dhënie të informatave janë të autorizuar vetëm mjekët, shefat e reparteve apo drejtorët e klinikave që përcjellin gjendjen shëndetësore të pacientëve, por jo infermieret dhe punonjësit e tjerë që nuk janë marrë direkt me trajtimin e rastit.

Me rastin është marrë edhe Policia e Kosovës. Sipas njoftimit në Polici, të mërkurën në mbrëmje është iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”.

“Hetimi ka ardhur si rrjedhojë e denoncimit të bërë pranë policisë nga ankuesi i cili ka ngritur dyshimet për trajtim të pandërgjegjshëm, ndaj klinikës ku është realizuar lindja. Dyshimet janë ndërlidhur me informimin e menjëhershëm pas lindjes se foshnja e tij është pa shenja jete, informacion ky i pranuar nga ana e personelit të klinikës përkatëse”, thuhet në njoftim të Policisë.

Trupi i pajetë është dërguar për obduksion. Policia ka thënë se po i heton të gjitha rrethanat që karakterizojnë ngjarjen me qëllim zbardhjen e plotë të tyre.