Vetëm në Komunën e Prishtinës nuk është bërë regjistrimi i asnjë foshnje të lindur që pas 25 gushtit, si pasojë e grevës në administratë. Numri i këtyre foshnjave, sipas të dhënave të disponueshme deri më sot, është afër 500.
Por për dallim nga kryeqyteti, në shtatë komunat në të cilat ndodhen spitalet rajonale, ky shërbim është duke vijuar me rregull, pavarësisht pezullimit të shërbimeve të tjera.
Në Komunën e Gjilanit, atë të Gjakovës, të Pejës, Prizrenit, Vushtrrisë dhe të Mitrovicës kanë treguar se shërbimet për rastet e lindjeve e vdekjeve, si dhe për nxjerrjen e dokumenteve për viza, janë duke u ofruar.
Nga Drejtoria e Administratës në Pejës kanë treguar arsyen përse kanë vendosur që këto shërbime të mos i pezullojnë.
“Zyrtarja që punon në Spital për regjistrim të fëmijëve ka punuar non-stop, pa ndërprerë, gjatë ditëve të punës edhe pse ka qenë dhe ende është greva e shpallur edhe për shërbyesit civilë. Këtë e kemi bërë shkaku i gjendjes së nënave lehona dhe të foshnjave, për t’ua dhënë shërbimet meritore”, kanë thënë nga Drejtoria e Administratës në Pejë.
Përgjigje të ngjashme kanë dhënë edhe nga komunat e tjera.
Ndryshe prej foshnjave të lindura në spitalet rajonale, fatin dhe mundësinë e njëjtë për regjistrim nuk e kanë pasur edhe ato që janë lindur në QKUK, shkaku i grevës së zyrës së administratës së Komunës së Prishtinës që vepron përbrenda kësaj klinike.
Pamundësia për të regjistruar foshnjat i ka privuar nënat nga mundësia për të aplikuar dhe përfituar nga 170 euro në muaj si lehona dhe nga 20 euro në muaj për fëmijët.
Merita Berisha, që fëmijën e nxori nga spitali të paregjistruar, kërkoi që këto dokumente të lëshohen sa më parë.
“Unë si nanë kisha me thënë që nuk është në rregull, sepse ka disa nëna që varen prej shtesave të lehonës, njashtu edhe për fëmijët. Është mirë të fillojë puna, gjendja civile”, ka deklaruar Merita Berisha, nënë.
KOHA ka pyetur drejtorinë dhe sindikatën e Administratës në Komunën e Prishtinës për arsyen se përse nuk është duke vazhduar regjistrimi i foshnjave sikurse në komunat e tjera dhe nëse do të shqyrtohet kjo mundësi, porse përgjigje nuk ka marrë për tash e dy ditë.
E Ali Sefaj, nga këshilli grevist i BSPK-së, ka thënë se është kërkuar që për disa shërbime të caktuara, qytetarët të mos privohen.
“Ne këtë shqetësim të ngritur e kemi diskutuar. Do ta diskutojmë prapë në nivel të këshillit grevistë dhe do të diskutojmë edhe me nivele të tjera që të shohim cila është mundësia që të penalizohen sa më pak dhe të afektojnë sa më pak kategoritë të cilat duhet të marrin shërbime në mënyrë që ata të marrin shërbime. Mirëpo greva në administratë vazhdon. Më vjen keq po e them që nuk do të duhej të mbesnin në grevë karshi kërkesave minimaliste që kemi”, ka thënë Ali Sefaj nga Këshilli Grevist i BSPK-së.
KOHA ka pyetur edhe në Ministrinë e Financave nëse do të ketë kompensim për nënat që gjatë muajit u është pamundësuar aplikimi për shtesa, por sqarime nuk ka marrë.