Arbëri

Berisha: Rama e di ku është Ervis Martinaj

Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha, ka thënë të mërkurën se sa e degraduar është Prokuroria tregon fakti se raportimet për copëtimin në gjashtë pjesë të një nga personave më të kërkuar, Ervis Martinaj, i cili rezulton i zhdukur nga 9 gushti, nuk është përgënjeshtruar.

Berisha ka shtuar se kryeministri Edi Rama e di se ku është trupi i Martinajt, duke e akuzuar për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë. Kreu i opozitës në Shqipëri bëri thirrje që të njoftohet familja e Martinajt pasi, siç pretendon ai, kryeministri Rama e di se çfarë ka ndodhur me të.

“Nuk ka sektor që ky [Rama] nuk ka shtrirë tentakulat e veta. Ia morën lojërat e fatit Ervis Martinajt dhe tani thotë ku është. E di vetë ai ku është. Ai ishte biznesmen i lojërave të fatit. Olsi Rama është përfolur si njeriu në hije i lojërave të fatit. Një person i zhdukur dhe një prokurori që mban gjashtë pjesë të trupit. Po çfarë prokurorie është që thuhet se mban një trup të ndarë në gjashtë copa dhe nuk bën një përgënjeshtrim? Sepse kontrollohet tërësisht nga Rama. Nëse është në gjashtë copa, familja njoftohet. Është kod shekullor. Shkallën ekstreme të degradimit të kësaj qeverisje”, deklaroi Berisha në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së.

Martinaj është konsideruar si një nga njerëzit më me ndikim në Shqipëri në botën kriminale. Ai njihej si “bosi” i lojërave të fatit. Martinaj është raportuar i zhdukur nga familjarët e tij që nga 9 gushti. Autoritetet policore ende nuk kanë dhënë përgjigje se çfarë ka ndodhur me fatin e tij.