Arbëri

Qelaj për grevën: Situata është alarmante

Naim Qelaj

Edhe pas angazhimit në rolin e ndërmjetësuesit nga ana e Avokatit të Popullit, shkollat edhe këtë javë nuk kanë hapur dyert për nisjen e mësimit.

Naim Qelaj deklaroi se intensivisht, ditëve të fundit ka diskutuar me Qeverinë e sindikatat për gjetjen e një zgjidhjeje për të nisur procesi mësimor.

Ai ka kërkuar që diskutimi për mbështetje financiare të zhvendoset në fund të vitit, duke shtuar se palët sërish nuk janë pajtuar, dhe kjo është komunikuar nga sindikatat pa u informuar ai. Qelaj tha se situata është alarmante, derisa edhe për Ligjin e Pagave, theksoi se ka pakënaqësi.

“Duke marrë edhe rolin e ndërmjetësit, padyshim duke marrë në këtë rast edhe një lloj koordinimi me Zyrën e Presidentes, e cila ditë më parë veç kishte filluar një proces të ngjashëm”, deklaroi Qelaj.

Ai tha se palët janë takuar ndaras që të kuptohen qartë qëndrimet dhe kërkesat e tyre, nga të cilat ka kërkuar që në qendër të jetë interesi i fëmijëve.

Qelaj tha se ka dhënë edhe opsionet se si mund të jetë zgjidhja për arritjen e konsensusit të palëve.

“Duke parë këtë situatë, unë kam propozuar një gjetje të një lloj moratoriumi me i zhvendos krejt këto diskutime ku palët kanë divergjenca, në një periudhë të mëvonshme. Me qëllim që procesi mësimor të fillojë sot, ndërkaq kërkesa për çështjet që lidhen me mbështetjen financiare të zhvendoset në debat për fund të vitit. Duke marrë fillimisht garancinë e plotë të Qeverisë që me siguri do të vazhdojë pakoja deri në aprovimin e Ligjit për Pagat dhe duke garantuar dhe dhënë zotimin e plot që të shqyrtojë edhe mundësinë e rritjes së lartësisë së mbështetjes financiare pas periudhës katër mujore”, shtoi Avokati i Popullit.

Qelaj i ka bërë thirrje Qeverisë që të bëjë zgjidhje dhe të dalë nga kjo situatë.

“Zgjidhja është që palët të ulen në një tavolinë diskutimi dhe mos të ngrihen nga aty deri sa të gjendet një zgjidhje. Komunikimi me publikun është bërë para se të kem unë informatën. Askush nuk mund të mohojë të drejtën e sindikatës për organizim sindikal dhe grevë, por në anën tjetër duhet të ketë kujdes edhe në raport me Qeverinë sepse duke marrë parasysh se është përgjegjëse për organizimin e sistemit arsimor dhe për mbajtjen e mësimit, ajo ka për obligim që të gjej një zgjidhje të qëndrueshme”, tha Qelaj.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka nisur grevën që nga data 25 e muajit të kaluar, me kërkesën për mbështetje prej 100 euro./KSP