Arbëri

Westerlund: Duhet të ndryshohet ritmi dhe të diskutohen detajet e “kornizës” dialoguese

“Jam informuar për këtë kornizë të dialogut dhe ajo që mund të them është se e mbështes emisarin e BE-së, Lajçak. Ka dallime rreth kësaj. Mendoj se është e rëndësishme se keni një agjendë të duhur dhe diskutoni për gjërat që duhet të diskutohen, pra ju e merrni vendimin për agjendën dhe fokusoheni në ato pika. Por, nuk dua të komentoj se cilat pika duhet të jenë në këtë kornizë e cilat jo. E kuptoj se ka pasur disa sugjerime nga Qeveria e Kosovës, nuk i kam detajet e saj. Por, tani mendoj se është koha të fokusohemi në detaje në mënyrë që të lëvizet përpara”, ka thënë ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund

 

Ndryshim të ritmit dhe diskutime për detajet e kornizës së re në dialog është ajo që pritet prej Kosovës dhe Serbisë javët në vijim. Kështu ka thënë Jonas Westerlund, i cili rikthehet në Prishtinë pas 22 vjetësh, tani si ambasador i Suedisë në Kosovë. Diplomati që ka ndërmjetësuar në zona të ndryshme konflikti, në vitin 1999 kishte ndihmuar në themelimin e misionit të OSBE-së në Kosovë. Me gjithë vështirësitë për shkak të së kaluarës, në një intervistë për KOHËN ai flet për mundësitë e gjetjes së një kompromisi teksa shton se është informuar edhe për kornizën e re të dialogut. Edhe pse nuk ka zbuluar detajet e kornizës, ambasadori suedez është shprehur i bindur se ajo mund të shërbejë si platformë për gjetjen e zgjidhjes finale dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve.

“Po, jam informuar për këtë kornizë të dialogut dhe ajo që mund të them është se e mbështes emisarin e BE-së, Lajçak. Ka dallime rreth kësaj. Por, mendoj se është e rëndësishme se keni një agjendë të duhur dhe diskutoni për gjërat që duhet të diskutohen, pra ju e merrni vendimin për agjendën dhe fokusoheni në ato pika. Por, nuk dua të komentoj se cilat pika duhet të jenë në këtë kornizë e cilat jo. E kuptoj se ka pasur disa sugjerime nga Qeveria e Kosovës, nuk i kam detajet e saj. Por, tani mendoj se është koha të fokusohemi në detaje në mënyrë që të lëvizet përpara”, ka thënë Westerlund.

Diplomati suedez ka treguar edhe për diskutimet që pritet të bëhen javët në vijim në Bruksel sa i përket liberalizimit të vizave, për perspektivën evropiane Kosovës si dhe integrimin në strukturat euroatlantike.

“Mendoj se të gjitha gjërat që kanë të bëjnë me vizat janë çështje e komplikuar, po ashtu edhe shumë teknike. Ekziston një grup në Bruksel i quajtur Komiteti Plus. Ata duhet të futen brenda të gjitha detajeve dhe ka një rishikim i cili do të vijë në javët e ardhshme. Pra, një rishikim i situatës, duke u kthyer prapa tek vendimi i vitit 2018 i Komisionit Evropian, pra kjo po rishikohet tani. Kështu që, le të shohim se çfarë përfundimesh do të nxjerrë ky rishikim dhe pastaj çfarë diskutimesh do të kemi nga mesi i tetorit në Bruksel”.

Në intervistë Westerlund ka folur edhe për tensionet e fundit në veri dhe për rreziqet që i kanosen Ballkanit Perëndimor pas agresionit të Rusisë mbi Ukrainën.

Kthimi pas 22 vjetësh dhe takimi me Kurtin

Koha: Do doja ta nisja këtë intervistë me faktin se ju nisët shërbimin në gusht të këtij viti si ambasador i Suedisë në Kosovë. Por keni qenë këtu, të themi, në kohëra të vështira, në vitin 1999. Nëse mund të na përshkruani për rolin që keni pasur atëherë dhe si e gjetët Kosovën pas 22 vjetësh?

Westerlund: Është e saktë. Jam i lumtur të rikthehem sërish. Siç e përmendët, kam qenë këtu në vitet e vështira, isha këtu në vitin 1999, pas konfliktit duke punuar për misionin suedez të OSBE-së në Vjenë që të vijmë në Kosovë dhe të ndihmojmë në themelimin e misionit të OSBE-së atë kohë. Po ashtu kam udhëtuar shumë përqark vendit. Do të doja të shtoja diçka rreth asaj që përmendet për vitin 1999 dhe vizitës sime në Kosovë. Në javën time të parë si diplomat i ri në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Stokholm më ishte kërkuar që të organizoja një konferencë me shoqërinë civile në Kosovë. Kjo ka qenë në verën e vitit 1998, një vit para se të shpërthente konflikti. Posaçërisht kur e kujtoj atë konferencë ishte një student i ri lider, i cili avokonte drejt komunitetit ndërkombëtar që të ndërhynte në Kosovë. E kujtoj ku isha ulur dhe e dëgjoja si një diplomat të ri dhe mendoja se ai po shkonte shumë larg në këtë deklaratë të fuqishme. Por, më kujtohet se ishte entuziast dhe ndodhi që ai sot të jetë kryeministër në Kosovë.

Koha: Pra, kryeministri Albin Kurti.

Westerlund: Kryeministri Kurti. Ishte një ribashkim i madh takimi i serishëm me të.

Koha: Pra, e takuat dhe diskutuat për ato kohëra.

Westerlund: Po, u takuam javën e kaluar.

Koha: Për çfarë diskutuat tjetër?

Westerlund: Diskutuam për konferencën që përmenda. Atij po ashtu i kujtohej njësoj shumë mirë.

Koha: Sa ka ndryshuar Kosova pas 22 vjetësh?

Westerlund: Është ndryshim i madh , veçanërisht në Prishtinë, do të thosha. Është vështirë ta njoh veten në kryeqytet. Më është dashur ta kujtoj se ku saktësisht kanë qenë zyrat kryesore të OSBE-së në Prishtinë. Përndryshe ishte vështirë ta gjeja veten, ka shumë aktivitete në qytet, shumë ndërtime, kështu që ky është një ndryshim i madh. Por, fatkeqësisht pas kaq shumë vjetësh ne ende kemi çështje të pazgjidhura.

Koha: Do të flasim për to më vonë, por më lejoni t’ju pyes fillimisht për marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës e Suedisë. Në cilat fusha shihni hapësirë për përmirësim të tyre?

Westerlund: Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale, ishim ndër vendet e para që e kemi njohur Kosovën. Kemi një diasporë të madhe nga Kosova në Suedi, rreth 60 mijë qytetarë. Po ashtu e dini se ne kemi pasur dhe kemi ushtarë suedezë këtu edhe gjatë kohërave më të vështira, në Prishtinë dhe jashtë saj po ashtu. Mendoj se ndoshta mund të bëjmë më shumë kur të vijë puna tek tregtia. Kemi baraspeshë të vogël mes dy vendeve. Meqë është një diasporë e madhe, siç e përmenda, mund të bëjmë shumë më shumë se kaq. Mund të punojmë që të krijojmë prodhim këtu për kompanitë suedeze. Ekziston tani një trend që disa kompani suedeze po bartin prodhimin e tyre nga Kina në Evropë për shkak të sfidave logjistike në botë. Kështu që me kthimin e tyre prapa në Suedi, por edhe në vendet e tjera afër Evropës, shoh mundësi për Kosovën që të ketë më shumë prodhim në këtë vend.

Koha: Keni pasur ndonjë diskutim me Qeverinë e Kosovës lidhur me këto mundësi, që të vijnë kompanitë suedeze dhe të investojnë kapitalin e tyre në Kosovë?

Westerlund: Kjo është java ime e katërt në Prishtinë, por sigurisht jemi në konsultime për shumë çështje, përfshirë këtë.

Çështja e vizave trajtohet në tetor

Koha: Siç dihet, Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor pa liberalizim të vizave. Keni diskutuar edhe për këtë se ku janë pengesat. Po ashtu cila është ndihma që mund ta ofrojë Suedia në finalizimin e këtij procesi?

Westerlund: Vetëm për katër javë në këtë vend mund të them sa e vështirë është kjo situatë për qytetarët e Kosovës. Kam takuar para disa ditësh sportistë, udhëheqës sportivë, të cilët nuk mund të udhëtojnë jashtë, nuk mund të marrin pjesë në turne, nuk mund t’i sjellin studentët e tyre jashtë për shkak të kësaj çështjeje. Kështu që, kjo është diçka të cilën duhet trajtuar. Ka diskutime që po vazhdojnë lidhur me këtë në Bruksel, brenda të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian. E ndiej se ka një momentum të vrullshëm për këtë çështje. Por, duhet ta dini po ashtu se ne kemi pasur zgjedhje vetëm para disa ditësh. Qeveria është dorëhequr dhe kryetari i Kuvendit do ta mandatojë formimin e qeverisë së re, pra ende nuk kemi një qëndrim për këtë. Kështu që duhet të presim edhe për disa javë, por, siç e thashë, kjo është një diçka që duhet të trajtohet dhe është një momentum i përshtatshëm rreth kësaj çështjeje në Bruksel.

Koha: A mund të jetë e ndërlidhur çështja e vizave edhe me aspekte të tjera dhe a mund t’i kërkohet ndonjë kriter shtesë Kosovës për ta përmbushur?

Westerlund: Mendoj se të gjitha gjërat që kanë të bëjnë me vizat janë çështje e komplikuar, po ashtu edhe shumë teknike. Ekziston një grup në Bruksel i quajtur Komiteti Plus. Ata duhet të futen brenda të gjitha detajeve dhe ka një rishikim, i cili do të vijë në javët e ardhshme. Pra, një rishikim i situatës, duke u kthyer prapa tek vendimi i vitit 2018 i Komisionit Evropian, pra kjo po rishikohet tani. Kështu që, le të shohim se çfarë përfundimesh do të nxjerrë ky rishikim dhe pastaj çfarë diskutimesh do të kemi nga mesi i tetorit në Bruksel.

Koha: Kosova po ashtu është e angazhuar në proceset e tjera integruese drejt Bashkimit Evropian. Si e vlerësoni përkushtimin e Qeverisë në përmbushjen e kritereve të cilat derivojnë nga marrëdhënia kontraktuale me BE-në, siç është MSA-ja?

Westerlund: Suedia e mbështet plotësisht Kosovën që të bëhet pjesë e së ardhmes së Evropës. Kështu që, në në nivel bilateral dhe nivel të Bashkimit Evropian do të mundohemi të ndihmojmë sa më shumë që të mundemi. Por, si gjithmonë, ka shumë detaje derisa të bëhesh anëtar i Bashkimit Evropian, kjo kërkon shumë përkushtim dhe kohë. Prandaj them se keni shembujt e fqinjëve që kanë aplikuar para shumë vjetësh dhe ende janë në proces që të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Kështu që ky është një proces i gjatë dhe e rëndësishme për Qeverinë dhe qytetarët e Kosovës është që ta kuptojnë këtë. Janë disa kërkesa që duhet të kalohen në mënyrë që të bëheni anëtarë të BE-së. Por keni mbështetjen e plotë nga vendet anëtare të BE-së që Kosova të jetë pjesë e së ardhmes së Evropës.

Koha: Komisioni Evropian në raportet e përvitshme për Kosovën vazhdon ta përmendë si problem nivelin e lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar, po ashtu edhe reformën e munguar në administratën publike. Sa janë duke i adresuar këto çështje autoritetet e Kosovës?

Westerlund: Mendoj se Qeveria aktuale ka bërë shumë në këto tema, për shembull në luftën kundër korrupsionit. Komuniteti ndërkombëtar është duke e mbështetur atë nëpërmjet misionit të EULEX-it në Kosovë, pra në sundimin e rendit dhe ligjit. Ne kemi edhe disa suedezë që janë pjesë e stafit të EULEX-it, të përqendruar posaçërisht në sundimin e rendit dhe ligjit. Është një çështje me rëndësi dhe diçka që duhet adresuar nga Kosova para se të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Mendoj se gjërat janë duke shkuar mirë, por ka ende disa hapa që duhet ndërmarrë. Pavarësia e gjyqësorit është shumë e rëndësishme dhe ajo çka mund të them është të ofrojmë mbështetje të plotë në këtë proces.

“Korniza e dialogut”

Koha: Ka një proces tjetër që po vazhdon, dialogu mes Kosovës e Serbisë. Kemi parë lëvizjet e fundit të emisarit të posaçëm të Brukselit, duke u përpjekur që t’i sjellë palët në tryezën e negociatave si dhe të gjendet një zgjidhje. Si e shihni procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe cilat janë kompromiset që kërkohen prej palëve?

Westerlund: Është një dialog që po vazhdon për më shumë se 10 vjet dhe Suedia e mbështet plotësisht për këtë emisarin e BE-së, Lajçak. Dhe ne besojmë sikurse edhe tërë Bashkimi Evropian se duhet ngritur ritmin në dialog. Siç e thashë, ka kaluar një dekadë kështu që duhet të ketë shumë më shumë momentume në këto diskutime. Është mirë të shohim takime një herë në muaj në Bruksel, kështu që kjo është një shenjë e mirë. Po ashtu gjë e mirë është se janë krijuar disa grupe bashkëpunuese mes palëve, nuk është e thënë të jenë miqtë më të mirë, por të bashkëpunohet në mënyrë që të gjendet kompromisi dhe të lëvizet përpara.

Koha: Meqë e njihni mirë rajonin, a do të jetë e vështirë gjetja e një zgjidhjeje pas dy vendeve që luftuan dhe gjithë atyre që kanë ndodhur gjatë viteve ‘99...

Westerlund: Kjo është pyetje sugjestive, por mendoj se ‘po’ është e vështirë të gjendet kompromisi. Por prapëseprapë kam punuar në shumë zona të konfliktit, procese ndërmjetësuese në botë dhe është e vështirë, sepse keni kaluar nëpër shumë dhimbje. Prandaj është aq e vështirë të arrihet kompromisi.

Koha: Pas takimeve të fundit me emisarin Lajçak, ishte presidenti i Serbisë ai që përmend një kornizë të re rreth dialogut, por pa dhënë asnjë detaj, të cilat nuk i kemi ende as ne. Meqë keni përvojë në procese të tilla ndërmjetësuese, cila është ajo kornizë e dialogut që i duhet Kosovës dhe Serbisë?

Westerlund: Po, jam informuar për këtë kornizë të dialogut dhe çka mund të them është se mbështes emisarin e BE-së, Lajçak. Ka dallime rreth kësaj. Por, mendoj se është e rëndësishme se keni një agjendë të duhur dhe diskutoni për gjërat që duhet të diskutohen, pra ju e merrni vendimin për agjendën dhe fokusoheni në ato pika. Nuk dua të komentoj se cilat pika duhet të jenë në këtë kornizë e cilat jo. E kuptoj se ka pasur disa sugjerime nga Qeveria e Kosovës, nuk i kam detajet e saj. Tani mendoj se është koha të fokusohemi në detaje në mënyrë që të lëvizet përpara.

Koha: Kosova dhe kryeministri Kurti janë duke insistuar në marrëveshje që ka brenda njohjen reciproke. Në anën tjetër, kemi parë insistimin e Serbisë në zbatimin e marrëveshjes që është arritur nga dialogu i kaluar, pra atë për themelimin e një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe. Mes këtyre, a mund ta gjejnë palët një zgjidhje?

Westerlund: Jam i sigurt se munden, jam i sigurt se munden. Gjithmonë ka zgjidhje. Nëse shikoni proceset e paqes dhe proceset e ndërmjetësimit duket shumë errët në fillim dhe e vështirë, por në fund gjithmonë mund të arrish kompromisin. Është një fjalë e mirë për këtë – “nëse ka dëshirë ka mënyra”, prandaj mendoj se kjo mund të vlejë edhe këtu.

Koha: Përderisa po vazhdon dialogu, kohë pas kohe ka edhe tensione në terren dhe këtu u referohem zhvillimeve në veriun e Kosovës, pas vendimit të Qeverisë për aplikim të reciprocitetit në targa dhe letërnjoftime. Kështu që shihni mundësi për rikthim tensionesh?

Westerlund: Ekziston një rrezik i caktuar i asaj, ekziston. Por, mendoj se të dyja palët nëse ulen dhe diskutojnë në mënyrën e duhuri diskutojnë detajet, do të shmangej potenciali për përshkallëzim të mëtejshëm. Dua ta theksoj se vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe Suedia kërkojnë prej të dyja palëve ta depërshkallëzojnë situatën. Nuk duam t’i kemi incidentet e ngjashme që i patën më 31 korrik. Po ashtu nuk duam t’i kemi ngjarjet që ishin vitin e kaluar. Kështu që mendoj se shumë mirë që dy liderët u takuan në Bruksel, e kanë kornizën dhe tani të shkojnë pikë për pikë dhe t’i diskutojnë ato.

Koha: Përmendët më herët rëndësinë e pajtimit mes shteteve. A mendoni se dënimi i kriminelëve të luftës dhe pajtimi janë të nevojshme për të arritur sukses në procese të tjera, edhe në rastin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë?

Westerlund: Besoj se është e domosdoshme të ndodhë kjo, të arrihet pajtimi, ndërsa ata që kanë shkaktuar mizoritë të ndëshkohen. Tash, nëse kjo do të jetë pjesë e dialogut apo jo, kjo u takon të tjerëve të vendosin, por mendoj se në qarkun e të pasurit marrëdhënie normale mes dy vendeve ju me siguri se duhet të kaloni nëpër atë proces, ta arrini pajtimin.

Koha: Pra, konsideroni se ky është një hap i rëndësishëm për të shënuar sukses në dialog...

Westerlund: E saktë, ashtu është, por krejt varet se kur e bëni këtë, a do të ndodhë pasi dialogu të ketë përfunduar dhe pastaj të vazhdohet me procesin e pajtimit. Pra, varet se në cilat frekuenca synohet të shkohet dhe këtë do t’ia lija zotëri Lajçakut.

Koha: Po dialogu është në dorën e tij aktualisht. Nganjëherë ka kritikë që thonë se liderët e Kosovës shpesh detyrohen të marrin vendime nën presion të ndërkombëtarëve, pra diçka që e përcjell Kosovën prej vitit 1999. A është Kosova e gatshme t’i marrë vetë vendimet dhe të mos jetë e ndikimeve të jashtme.

Westerlund: Jam mysafir si ambasador në këtë vend dhe nuk dua ta vlerësoj performancën e Qeverisë në ndonjë mënyrë. Kosova është ende shtet i ri, por duket se Qeveria aktuale mund t’i marrë vetë vendimet, mendoj se kjo është parë qartë në vitin e fundit.

Rreziqet që i kanosen Ballkanit

Koha: Pas agresionit të Rusisë mbi Ukrainën ka pasur paralajmërime se Putini është i interesuar ta shpërndajë konfliktin edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. E shihni një rrezik të tillë dhe në çfarë mënyre po mundohet të ndikojë Rusia?

Westerlund: Kemi një Evropë komplet të re tani pas agresionit të Rusisë mbi Ukrainën, kështu që kjo është një situatë shumë e vështirë për tërë Evropën tani. Prandaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Ne e mbështesim plotësisht Ukrainën në mbrojtjen e kufijve të saj. Ka gjithmonë rrezik kur ekziston një konflikt e ku Rusia përpiqet të përfshihet edhe në rajone të tjera. Pra, ka rrezik për atë. Ne e pamë se sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë janë një shembull i kësaj.

Koha: Sulmet të tilla pati edhe në Kosovë, të cilat i raportuan institucionet. Por, mund të vijnë sulme të tilla nga Rusia?

Westerlund: Ende nuk e dimë atë, ato mund të vijnë edhe nga vendet e tjera po ashtu. Kjo është mënyrë e re e luftës me kërcënime kibernetike të sigurisë, kështu që duhet të jemi shumë të kujdesshëm për këto rreziqe. Ju mundeni lehtësisht t’i mbyllni aeroportet apo pikat e kontrollit duke vënë në përdorim luftën kibernetike, prandaj duhet të jeni shumë vigjilentë për këtë.

Koha: Përderisa Kosova iu bashkua Perëndimit dhe vendeve demokratike duke i vendosur sanksione Rusisë, Serbia refuzojë ta bëjë. Çfarë do të thotë kjo për Serbinë, por edhe për rajonin e Ballkanit në përgjithësi?

Westerlund: Jam ambasador në Kosovë dhe nuk dua ta adresoj atë çështje në respekt të kolegut tim në Beograd. Natyrisht që Suedia dhe të gjitha vendet e Bashkimit Evropian e ndiejnë se është e rëndësishme për të gjitha shtetet evropiane ta mbështesin Ukrainën dhe t’i mbështesin sanksionet e BE-së.

Koha: Pas agresioni të Rusisë, Finlanda dhe Suedia dorëzuan aplikimin për anëtarësim në NATO. Në çfarë faze ndodh ky proces?

Westerlund: Ne e kemi proceduar aplikimin. Tani jemi në fazën ku një numër i vendeve aleate të NATO-s duhet ta ratifikojnë atë në parlamentet respektive. Së fundi, kontrollova para disa ditësh, janë më shumë se gjashtë parlamente që duhet ta ratifikojnë. Kështu që së shpejti do të jemi atje, kemi edhe gjashtë shtete që duhet ta ratifikojnë aplikacionin tonë. Shpresoj se do të jemi anëtarë shumë shpejt.

Koha: Po ashtu edhe Kosova ka shprehur qëllimin për t’u anëtarësuar në NATO duke krijuar edhe një grup punues që do të merret me përgatitjen e aplikacionit. Kur do të mund Kosova të bëhet pjesë e kësaj aleance dhe a shihni ndonjë pengesë në këtë rrugëtim?

Westerlund: Aktualisht Suedia ende nuk është anëtar i NATO-s, kështu që, siç e përmendët, veç kemi aplikuar. Kemi pak njohuri rreth procedurave, por ajo që mund të them është se ne mbështesim Kosovën në ambicien e saj që të jetë pjesë e Evropës dhe strukturave euroatlantike. Siç e thashë më herët, sa i përket Bashkimit Evropian aplikimi për t’u bërë anëtar është sfidues, kjo vlen edhe për NATO-n. Supozoj se ndoshta Kosova së pari duhet të aplikojë në Partneritetin për Paqe dhe pastaj të bëhet anëtare. Kjo është në dorën e Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës, megjithatë ky mund të jetë një hap në drejtimin e duhur. Ju keni përvojë në këtë fushë, ka bashkëpunim të ngushtë me NATO-n këtu. Mendoj se keni shumë përparësi për t’u bërë anëtare e NATO-s në të ardhmen.

Koha: A mendoni se edhe ky proces është i ndërlidhur me dialogun Kosovë-Serbi?

Westerlund: Ka një ndërlidhje, natyrisht pasi disa vende anëtare të BE-së ende nuk e kanë njohur Kosovën. Këto vende po ashtu janë anëtare të NATO-s. Kështu që, po, kjo është pjesë sfiduese.

Koha: Faleminderit për intervistën, Ambasador!

Westerlund: Faleminderit shumë që më ftuat!