Arbëri

Avokati i Popullit vlerëson se greva po i cenon rëndë të drejtat e fëmijëve

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, deklaroi se greva e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, po i cenon rëndë të drejtat e fëmijëve në Kosovë, derisa bëri me dije se ka nisur hetim që të analizohet se deri në çfarë mase po shkelen këto të drejta.

Qelaj tha në Interaktiv të KTV-së të enjten, se me shqetësim po përcillet situata e krijuar, duke thënë se palët duhet të ulen dhe të gjejnë zgjidhje.

“Është përgjegjësi ligjore që të gjitha autoritetet dhe palët të marrin vendime dhe të vendosin për interesin e fëmijëve, e prioritet t’i kenë fëmijët. Kudo kam theksuar se e drejta për arsim është e garantuar, e që s’mund të kufizohet përpos në rrethana të jashtëzakonshme, si ajo e pandemisë”, tha ai.

Sipas Qelajt, edhe greva është e drejtë demokratike, por aktualisht duhet merret parasysh interesi i fëmijëve.

“Palët të vazhdojnë dialogun social, por edhe të fillojë procesi mësimor. S’ka asnjë arsye apo rrethanë që bën privimin e procesit mësimor. Konsideroj se do të reflektojnë palët dhe nuk do të vazhdojnë më tej në krijimin e një situate të tillë, pasi pasojat janë shumë të rënda”, tha ai, duke theksuar se sheh mungesë të vullnetit për të dalë nga kjo situatë. “Në momentin kur mungon një vullnet i tillë, pavarësisht nëse zhvillohet dialogu, mungon zgjidhja. Kemi të bëjmë me një cenim të rëndë të të drejtave të fëmijëve”.

Avokati i Popullit deklaroi se se institucion kanë për detyrë të japin rekomandime dhe udhëzime për të dalë nga kriza, por që nuk kanë mjet ekzekutiv në detyrimin e palëve.