Arbëri

Nuk gjen zbatim ligji që ka për qëllim uljen e kriminalitetit e sigurinë e viktimave

Ligji për mbikëqyrjen elektronike ka për qëllim mbrojtjen e viktimave të krimit, garantimin e sigurisë publike dhe ekzekutimin efektiv të vendimeve të gjykatës. Në shoqërinë civile shtrojnë nevojën që sa më shpejt të nisë mbikëqyrja elektronike, e viktimave dhe e të akuzuarve. Institucionet e sigurisë nuk i kanë treguar arsyet për moszbatimin e tij. Por, nga komunikimi i tyre me shoqërinë është thënë se zbatimi është i kushtëzuar nga sigurimi i mjeteve financiare për blerjen e pajisjeve dhe ngritja e kapaciteteve profesionale

Ligji për mbikëqyrje elektronike ka shtatë vjet që ka hyrë në fuqi, por asnjëherë nuk ka gjetur zbatim. Ky ligj ka për qëllim mbrojtjen e viktimave të krimit, garantimin e sigurisë publike dhe ekzekutimin efektiv të vendimeve të gjykatës.

Në Lëvizjen FOL kanë folur për nevojën që mbikëqyrja elektronike të nisë së zbatuari.

Albana Hasani, që është autore e hulumtimit “Byzylykët elektronikë: Fokusi në parandalimin e rasteve të dhunës në familje”, shpjegon rëndësinë e mbikëqyrjes elektronike.

“Është mekanizëm që siguron apo garanton zbatimin efektiv të vendimeve të gjykatës. Është një prej formave të monitorimit të vendndodhjes, të lëvizjes apo sjelljeve specifike të personave të cilëve u kufizohet liria e lëvizjes me vendim të gjykatës”, ka thënë Hasani.

Hulumtuesja e organizatës FOL tregon për efektet potenciale që do të mund të kishte ky ligj nëse do të gjente zbatim në praktikë.

“Pa dyshim që do të ishte një preventivë efikase në parandalimin e kriminalitetit në përgjithësi dhe parandalimin dhe mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje. Me një jetë të shpëtuar do të arrihej efekti i krijimit të këtij ligji. Kjo po besoj më së miri e shpjegon se çfarë do të mund të ishte efekti meqenëse pa u vënë në zbatim nuk mund ta njohim efektin e tij”, ka thënë tutje Hasani.

KOHA ka pyetur Prokurorinë dhe Gjykatën Themelore se a kanë lëshuar ndonjëherë kërkesa të tilla për mbikëqyrje elektronike, por nuk ka marrë përgjigje.

Pyetje janë drejtuar edhe në adresë të Policisë së Kosovës, e cila sipas Ligjit është organ që realizon mbikëqyrjen elektronike. Derisa gjatë së premtes Policia nuk ka kthyer përgjigje, në raportin e publikuar nga Lëvizja FOL, më dhjetor 2021, ishte vlerësuar se zbatimi i monitorimit elektronik do të ndikonte në uljen e kriminalitetit.

Sqarime se çfarë është duke u bërë për implementimin e këtij ligji, nuk kanë dhënë as në Institucionin e Avokatit të Popullit dhe as në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Referuar raportit të FOL, MPB kishte thënë se kanë hartuar projektin porse realizimi i tij varet nga sigurimi i mjeteve financiare përmes donatorëve për blerjen e pajisjeve dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale.

E në Ministrinë e Drejtësisë, në një përgjigje për KOHËN, kanë folur për mundësinë e nisjes së zbatimit të ligjit.

“Këtë vit kemi pasur takime edhe me deputetët e Kuvendit të Kosovës, Komisionit Parlamentar për Legjislacion, i cili është duke u marrë me mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji, andaj sapo ta kemi raportin me rekomandime, në pajtim me përgjegjësitë që ka Ministria e Drejtësisë do të koordinohemi me institucionet e tjera, para së gjithash me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës, për t’i adresuar rekomandimet”, ka thënë MD përmes një përgjigjeje me shkrim.

Në disa vende të rajonit, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, mbikëqyrja elektronike e viktimave dhe e të akuzuarve është duke u zbatuar.

Mbikëqyrja elektronike, sipas ligjit, nënkupton mekanizmin që garanton zbatimin efektiv të vendimit të gjykatave ndërmjet përcaktimit në kohë reale të vendndodhjes së një personi, ndërkaq pajisja apo byzylyku elektronik nënkupton mjetin elektronik që vendoset në pjesë të ndryshme të trupit të personit (zakonisht në kyçin e dorës apo të këmbës) dhe që mundëson përcaktimin e vendndodhjes reale të tij.

Pajisja elektronike, bazuar në kërkesat e këtij ligji, duhet të ketë përmasa të vogla në mënyrë që të mbulohet lehtësisht nga veshjet dhe të mos shikohet nga të tretët, të mos lëshojë tinguj ose dritë, të përbëhet nga materiale të parrezikshme për jetën dhe shëndetin e personit dhe të personave të tretë, të vendoset në një pjesë të trupit që e bën të pamundur shikimin e saj nga të tretët, si dhe të lejojë personin të kryejë pa vështirësi të gjitha veprimtaritë e tij të zakonshme.