Arbëri

Petkoviqi i quan provokime patrullimet e Policisë së Kosovës në Ujman

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar lidhur me njoftimin që e ka dhënë të enjten ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, se Policia e Kosovës ka nisur patrullimin e plotë kufitar në Liqenin e Ujmanit. Petkoviqi e ka quajtur këtë njoftim, provokim, shkroi agjencia serbe e lajmeve, Tanjug.

Sipas tij, kjo është në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit.

“Provokimet e pushtetit të Prishtinës në veri të Kosovës vazhdojnë edhe sot, kësaj radhe me vendosjen e patrullave ilegale të Prishtinës në liqenin e Gazivodës, që është absolutisht në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit”, tha Petkoviqi.

Sipas tij, vendosja e forcave speciale në këtë zonë është provokimi më i hapur ndaj serbëve.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, njoftoi të enjten se Policia e Kosovës ka nisur me patrullimin e hapësirës së liqenit të Ujmanit.Ai ka thënë se ky patrullim po bëhet për herë të parë që nga paslufta. “Për herë të parë që nga paslufta, pas krijimit të njësitit për patrullim ujor, Policia e Kosovës sot filloi me patrullimin e rregullt të vijës kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe gjithë hapësirës së Liqenit të Ujmanit”, ka shkruar Sveçla.