Arbëri

Statistikat publike “demantojnë” statistikat e Kurtit për prokurorët e gjyqtarët

Kosova aktualisht ka 62 prokurorë që merren me dhunimet seksuale në vend, nga 182 që i ka i gjithë sistemi prokurorial. Por kryeministri Albin Kurti tha se 140 prokurorëve u janë parashkruar rastet e tilla. Këshilli Prokurorial këto statistika i ka quajtur të pabaza, e Zyra e Kryeministrit nuk ka shpjeguar se ku janë marrë këto të dhëna dhe për çfarë periudhe kohore bëhet fjalë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media, të dielën, ka drejtuar gishtin nga prokurorët e gjyqtarët për dështimet në trajtimin e rasteve të dhunës seksuale. Ka thënë se 140 prokurorë kanë lejuar parashkrimin e rasteve e 200 gjykatës kanë shqiptuar dënime me kusht.

“Në mbi 85 për qind të këtyre rasteve kanë qenë të mitura. 140 prokurorë kanë lejuar parashkrimin e rasteve të dhunës seksuale. Merreni me mend mbi 200 gjykatës, më shumë se gjysma e gjykatësve në Kosovë, kanë shqiptuar vetëm dënime me kusht dhe gjobë dhe rreth 140 prokurorëve nga gjithsej 200 sa janë u janë parashkruar rastet”, ka thënë ai.

Kurti nuk ka treguar se për çfarë periudhe bëhet fjalë e as ku bazohet për të dhënat që publikoi.

Gjasat teorike që një statistikë e tillë qëndron për prokurorët e gjyqtarët aktualë janë të vogla. Kjo, pasi e gjithë Prokuroria e Shtetit ka 182 prokurorë. Dhuna seksuale në shumicën e rasteve ndiqet nga prokurorët e dy departamenteve: atij të Krimeve të Rënda e Departamentit për të Mitur. Sipas të dhënave të Prokurorisë së Shtetit, të vitit 2021, në gjithë Kosovën janë 62 prokurorë që merren me raste të tilla.

Kryeministri Kurti ka deklaruar që 85 për qind në këto raste, ku lëndët janë parashkruar, viktimat ishin të mitura. Në shumicën e rasteve, kur viktimat janë të mitura, por kryerësit janë të moshës madhore, rastet trajtohen nga prokurorët e Departamentit të të Miturve. Të tillë Kosova i ka 19 prokurorë.

KOHA e ka kontaktuar edhe Zyrën e Kryeministrit për të kërkuar sqarime, megjithatë askush nuk është deklaruar.

Në orët e vona Ministria e Drejtësisë ka dalë me komunikatë për këto statistika, por nuk ka sqaruar se si ka ardhur deri te kjo shifër. Është ankuar që nuk ka qasje në statistika.

“Veprimet e pasqyruara në raportet e misioneve ndërkombëtare e të shoqërisë civile, që reflektohen në statistika të paraqitura sot gjatë konferencës për media, janë të shkruara dhe të hapura për publikun”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Drejtësisë për këtë çështje.

Ministria nuk ka dhënë asnjë emër të ndonjë organizate që ka nxjerrë statistika të tilla.

Nga mesi i reagimit ka pranuar që nuk kanë qasje në statistika.

“Strategjia për Sundimin e Ligjit ka paraparë nevojën dhe ka identifikuar veprimet që shpijnë te mundësimi i qasjes së Ministrisë së Drejtësisë në statistikat e gjyqësorit. Në këtë mënyrë, përveç qasjes në informacion të plasuar e në kohë reale, Ministrisë natyrisht, nuk do t’i lejohej veprim tjetër. Qasja është e domosdoshme për planifikim të politikave e në fund, hartim të ligjeve. Deri tani, nuk është ndërmarrë asnjë veprim i sistemit gjyqësor lidhur me mundësimin e qasjes së Ministrisë në statistika”, thuhet në reagimin e MD-së.

Për dhunimet seksuale, misioni i EULEX-it ka nxjerrë raport në korrikun e këtij viti. Ai është marrë me statistikat e periudhës 2019-2021. Të dhënat e këtij misioni dallojnë nga ato të Qeverisë.

“KGJK-ja ka raportuar se 173 raste të dhunimeve kanë arritur në gjykatat themelore në periudhën 2019-2021. Nga këto 173 raste, 76 janë përfunduar dhe në 38 raste janë shpallur aktgjykime dënuese, ndërsa në 38 rastet e tjera, gjykatat kanë nxjerrë aktgjykim lirues, refuzues ose lëndët janë parashkruar”, thuhet në raportin e botuar para me pak së dy muajsh.

E Këshilli Prokurorial e Prokuroria e Shtetit kanë dalë me dy komunikata, të parën e kanë dërguar gabimisht e në të dytën thuhet që statistikat që i ka prezantuar kryeministri Kurti nuk qëndrojnë.

“Nga raportet e KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit, sipas të dhënave për veprat penale për rastet e dhunës seksuale nga viti 2017 deri në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, janë parashkruar katër raste, që kanë pasur të bëjnë me dhunën seksuale. Në këtë rast, theksojmë se informacionet e deklaruara sot nga kryeministri janë të pasakta, nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin dhe janë krejtësisht tendencioze ndaj sistemit prokurorial”, thuhet në reagim.

KOHA ka provuar ta kontaktojë edhe kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj. Ai ka deklaruar që të hënën KGJK-ja do të mbajë konferencë për media për një gjë të tillë.

Megjithëse statistikat e Qeverisë së Kosovës, të prezantuara nga kryeministri Kurti zor që kanë mbështetje faktike, në raportin e EULEX-it, megjithatë përmendën dështimet e sistemit të drejtësisë te këto lloj dhunimesh.

“Nga 36 raste të analizuara, 16 ishin me aktgjykime liruese (15 lirime nga akuza, një refuzim). 67 arsyet e shqiptimit te aktgjykimeve liruese ishin të ndryshme. Ngjashëm me arsyetimet për mbylljen e hetimeve të theksuara më sipër, këto aktgjykime liruese përqendroheshin kryesisht në mungesën e provave të dhunës (duke përfshirë mungesën e lëndimeve në zonën gjenitale të viktimave) dhe pamundësinë e mëvonshme të paraqitur nga gjykatat për të provuar se i pandehuri e ka kryer krimin. Një arsye tjetër lidhej me tërheqjen e deklaratës nga viktima gjatë procesit gjyqësor. Në një rast, viktima deklaroi se kishte gënjyer gjatë procesit gjyqësor“, thuhet në raportin e EULEX-it.

Në një rast përmendet një arsyetim i çuditshëm i trupit gjykues për lirimin e një të dyshuari për dhunim. Thuhet që e dhunuara dha miratim në heshtje për krimin.

“Në aktgjykime të tjera, arsyetimi i gjykatës për shqiptim të aktgjykimit lirues bazohej në pëlqimin e nënkuptuar të viktimës, duke u bazuar në faktin se personi kishte pasur marrëdhënie të mëparshme me kryesin (kryesit). Ngjashëm, në një rast, gjykata e ka arsyetuar lirimin nga akuza duke u bazuar në faktin se pala e dëmtuar kishte shkuar në vendin e krimit të pretenduar me persona të panjohur. Gjykata konstatoi nga këto veprime se viktima në heshtje ka dhënë pëlqimin për marrëdhënie seksuale”, thuhet tutje në këtë raport.

Javët e fundit janë ngjallur diskutime të shumta për rastet e dhunimeve seksuale në Kosovë dhe për atë se si trajtohen viktimat nga sistemi i drejtësisë e si amnistohen abuzuesit.